Ndryshime në kreun e policisë

01/09/2014 00:00

Të paktën 13 transferime në Policinë e Shtetit janë firmosur gjatë ditës së hënë nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe drejtori i përgjithshëm Artan Didi. Këto transferime, sipas Policisë së Shtetit, janë bërë me synim rritjen e performancës në strukturat e saj.

Më konkretisht, ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka firmosur emërimin në detyrën e nëndrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit për Krimin e Organizuar e Krimet e Rënda Haki Çakon, i cili më parë kryente detyrën e drejtorit të Policisë së Qarkut Gjirokastër.

Çako zëvendësoi në këtë detyrë Sokol Bizhgën, i cili është emëruar në detyrën e drejtorit të Studimeve Strategjike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Po ashtu, ministri Tahiri ka firmosur lirimin nga detyra të nëndrejtorit të përgjithshëm për Kufirin e Migracionin, Pëllumb Nako, i cili ka përmbushur afatet e parashikuara në ligj për qëndrimin në detyrën e nëndrejtorit të përgjithshëm të Policisë, ndërsa është emëruar specialist në Drejtorinë e Studimeve Strategjike.

Ndërkaq, Bilbil Mema është emëruar drejtor i Qendrës së Formimit Policor, ndërsa vendi i lënë bosh nga Haki Çako në Policinë e Gjirokastrës është plotësuar nga Kastriot Skënderaj, i cili më parë kryente detyrën e drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë.

Transferime ka pasur dhe në drejtoritë e tjera në qarqe, ku në Policine e Kukësit drejtor është emëruar Alban Çela; Jaeld Çela është emëruar drejtor i Policisë së Qarkut Vlorë. Po ashtu ndryshime ka pasur dhe në komisariatin e Durrësit, Fierit, Beratit, Malësisë së Madhe dhe në komisariatin e Mallakastrës.

Top Channel