75-vjetori i pushtimit të Polonisë nga Gjermania

01/09/2014 00:00

Me një ceremoni zyrtare, Polonia shënon 75-vjetorin e pushtimit nga Gjermania naziste, momenti që përbën dhe fillimin e Luftës së Dytë Botërore.

Kryeministri Donald Tusk vendosi një kurorë me lule në monumentin e viktimave të betejës së parë të luftës. Pushtimi i Polonisë nisi 1 shtatorin e vitit 1939 me bombardimin e një garnizoni polak në Gdansk. Britania dhe Franca do t’i shpallnin luftë Gjermanisë dy ditë më vonë.

Në nder të të vdekurve të luftës takohen sot presidentët e dy vendeve, ai polak Bronislav Komorovski dhe kreu i shtetit gjerman Joachim Gauck. Dy liderët do të diskutojnë mbi konfliktin e përpara 75 viteve edhe me të rinj polakë e gjermanë.

Kryeministri Tusk nga ana tjetër iu referua në këtë ditë edhe konfliktit aktual mes trupave ukrainase e separatistëve pro-rusë duke thënë se nuk është koha për “optimizëm”. Polonia është mbështetëse e fuqishme e sanksioneve ndaj Rusisë për mbështetjen që Moska i jep separatistëve në rajonet lindore të vendit fqinj me të.

1 shtatorin e 7 dekadave më parë, kryqëzori gjerman Schlesëig-Holstein, i ankoruar gjatë një vizite miqësore në qytetin e lirë të Danzigut, sot Gdansku, hapi zjarr mbi një garnizon të vogël polak. Në të njëjtën kohë, me mijëra trupa gjermane kaluan kufirin me Poloninë. Lufta e Dytë Botërore kishte filluar. Tani, kryeministri i Polonisë thotë se në dritën e zhvillimeve në Ukrainë, shprehja “jo më luftë” ka marrë krejtësisht tjetër kuptim.

Nuk është më koha për fjalime të bukura, deklaroi Tusk, duke shtuar se europianët duhet të nxjerrin mësime nga Lufta e Dytë e të kuptojnë se nuk ka vend për optimizëm naiv.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB