“Rama n’burg, Berisha n’burg”, pas marshimit nëpër kryeqytet, disa protestues rikthehen para Kryeministrisë, të tjerë vijojnë lëvizjen në këmbë Qeveria shqiptare me një vendim të Këshillit të Ministrave datë 27 gusht vendosi të ndryshojë plotësimin e rubrikës “Vendlindje” në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe në çertifikata për përdorim nga autoritetet e huaja, duke zgjidhur në këtë mënyrë çështjen e toponimeve në pasaportat apo dokumentat e tjera te identifikimit të mijëra emigrantëve shqiptarë që përballonin probleme sidomos me autoritetet greke.
Ndryshimi ka të bëjë me disa shtesa në vendimin e mëparshëm të qeverisë me nr.332 të datës 17 mars 2010,ku përcaktohet që: “Në të gjitha modelet e çertifikatave për përdorim nga autoritetet e huaja, që lëshojnë zyrat e gjendjes civile në njësitë e qeverisjes vendore, informacioni në rubrikën “vendlindja” të plotësohet, i shkruar sipas rasteve:
a) Për shtetet, të cilat kanë depozituar pranë OKB-së katalogët zyrtarë të emrave gjeografikë të romanizuar (toponimet), sipas listës së vënë në dispozicion nga Ministria e Punëve të Jashtme, si dhe kodin 3-karakterësh të shtetit përkatës, sipas standardit te Organizates Ndërkombëtare te Aviacionit Civil ICAO, psh GRE për Greqinë ;
b) Për shtetet, të cilat nuk kanë depozituar pranë OKB-së këta katalogë, sipas shkrimit në dokumentin e hartuar nga vendi i origjinës, por me simbole, germa latine/romane, si dhe kodin 3-karakterësh të shtetit përkatës, sipas të njëjtit standard;
c) Rubrikat e tjera të çertifikatave, për përdorim nga autoritetet e huaja, të plotësohen në gjuhën zyrtare shqipe”.
Pas këtij ndryshimi në plotësimin e rubrikës “Vendlindja” në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile do të korigjohen edhe pasaportat, gjë që do të zgjidhë përfundimisht problemin edhe me pasaportat biometrike. Vendimi i 27 gushtit do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Duhet theksuar se është në të mirën e emigrantëve që sapo të publikohet ky vendim të procedojnë menjëherë ose pranë zyrave të gjendjeve civile në Shqipëri, ose në zyrat pranë konsullatave në vendet ku ata jetojnë pasi prej 1 Janarit të 2015 çmimi i pasaportave dhe kartave të identitetit do të rritet.
Kjo, pas një vendimi të qeverisë Berisha të vitit 2013, i votuar edhe n parlamentin shqiptar, me anë të të cilit është rinovuar edhe për 10 vjet të tjera marrëveshja për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumentave midis Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe Grupimit Morpho dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan, në të cilën parashikohet edhe rritja e çmimeve me 25%.
Kështu duke nisur nga 1 Janari i viti që vjen nëse do të merren në Shqipëri, pasaporta do të ketë çmim 7.500 lekë nga 6.000 që është sot dhe karta e identitetit 1.500 leke nga 1.200. Nëse ato do të kërkohen në zyrat konsullore të vendeve të huaja ku banojnë emigrantët, pasaporta e re do të kushtoje 130 nga 108 euro që është sot, ndërsa karta e identitetit 12.5 nga 10 euro që kushton në këto momente.
Vlerësohet se vendimi i qeverisë shqiptare do të mirëpritet nga komunitetet e emigrantëve shqiptarë veçanërisht në Greqi, pasi prej më shumë se dy vitesh mijëra emigrantë kanë pasur probleme tepër serioze me rinovimin e dokumentave të identifikimit, të pasaportave dhe çertifikatave, sidomos të fëmijevë që kanë lindur në shtetin grek dhe shpeshherë janë penguar të kalojnë kufirin.
Top Channel