SHKB vë në pranga dy policë

30/08/2014 00:00

Agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm kanë vënë në pranga dy kolegë të qarkullimit rrugor në qytetin e Kavajës.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore zyrtare, sipas të cilave dy agjentët akuzohen për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre.

Sipas burimeve, arrestimi i Artan Hasanajt dhe Avdullah Dafkut u krye pas denoncimit të një emigranti shqiptar në Itali që kishte ardhur në vend për pushime.

Ky i fundit kishte denoncuar se si, teksa ishte duke udhëtuar me automjetin e tij ishte ndaluar nga dy policët të cilët i kishin kërkuar para në këmbim të heqjes së gjobës.

Ndërkaq, nga hetimet e kryera nga agjentët e SHKB-së janë dokumentuar dhe raste të tjera korruptive nga dy efektivët në fjalë.

Më herët gjatë muajit, agjentët e SHKB-së arrestuan shefin e stacionit të policisë së Velipojës, Ernest Paluku, pasi rezultoi se ishte përfshirë në një skandal seksual.

Ministria e Brendshme njoftoi se oficeri i policisë kishte shfrytëzuar detyrën e tij kur një shtetase kishte shkuar për të denoncuar dhunën e ushtruar ndaj saj nga bashkëshorti.

Oficeri Paluku, pas pyetjeve që i kishte bërë denoncueses, i kishte dhënë asaj një numër telefoni tjetër, duke i thënë që ta kontaktonte, si dhe më pas i kishte ofruar një natë në një hotel të Velipojës.

Madje, pas refuzimit polici kishte tentuar ta puthte me forcë gruan, por ajo mundi të largohej dhe pak ditë më vonë bëri denoncimin në komisariatin e Shkodrës, ku tregoi mesazhet, telefonatat dhe postimet në Facebook nga oficeri i policisë.

Pak ditë më parë, gjykata dha masën e ‘ndalimit me burg’ për Palukun, pas verifikimit të mesazheve që ai i kishte dërguar shtetases R.M, përmes telefonit celular dhe rrjetit social Facebook.

Top Channel