
Javën e ardhshme do të vihet në provë vaksina kundër sëmundjes së rëndë të Ebolës. Sipas specialistëve të Institutit Kombëtar Amerikan për Shëndetin eksperimentimi në fazat e hershme do të vlerësojë sigurinë e saj dhe aftësinë për të nxitur një përgjigje nga sistemi imunitar tek të rriturit e shëndetshëm.
Vaksina është prodhim i përbashkët i institutit NIH dhe kompanisë farmaceutike britanike “GlaxoSmithKline”. Deri tani ajo është testuar tek gjitarët e ka pasur rezultate shumë të mira, por tek njerëzit nuk është provuar asnjëherë. Testet do të kryhen në qendren e Institutit Amerikan të Shëndetit në Bethesda të Maryland-it, si dhe në Britani e në vendet e Afrikës Perëndimore, Gambia dhe Mali.
Arsyeja përse po përshpejtohen përpjekjet për krijimin e një vaksine kundër kësaj sëmundjeje të frikshme është bërë pikërisht shpërthimi i epidemisë së saj në Afrikën Perëndimore. Sipas Organizatës Botërore te Shëndetësisë, mbi 1 mijë e 400 vdekje prej ebolës janë njoftuar në Guine, Liberi, Nigeri dhe Sierra Leone që nga shfaqja e saj marsin e këtij viti.
Por pavarësisht rrezikshmërisë së lartë të saj, Ministrat e Shëndetësisë së vendeve të rajonit kërkuan të hiqet ndalimi i udhëtimit, i vendosur për të penguar përhapjen e sëmundjes. OBSH ka paralajmëruar se epidemia afrikane mund të infektojë me mijëra vetë.
Top Channel