Varur në 828 metra, punëtorët nepalezë pastrojnë ndërtesën më të lartë në botë në Dubai NATO akuzoi Rusinë për shkelje flagrante të sovraniteti të Ukrainës dhe përfshirje direkte në operacione ushtarake në mbështetje të separatistëve në rajonet lindore të vendit.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Anders Fogh Rasmussen tha se pavarësisht mohimeve të Moskës është tejet e qartë se trupa dhe automjete ushtarake ruse kanë kaluar ilegalisht kufirin me Ukrainën.
Kryeministri ukrainas, Arseny Yatsenyuk deklaroi më herët se vendi planifikon t’i bashkohet NATO-s. Ai tha se qeveria do t’i dërgojë një propozim parlamentit ku të anulohet statusi i neutralitetit për t’i hapur rrugë anëtarësimit në Aleancë. Lidhur me këtë, Rasmussen tha se Aleanca do të respektojë çdo vendim të Ukrainës për sigurinë e vet.
Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin fajësoi qeverinë ukrainase për krizën dhe krahasoi rrethimin e dy qyteteve, Donetsk dhe Luhansk nga ushtria qeveritare me rrethimin e Leningradit nga trupat naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Është e domodoshme që të detyrohen autoritetet ukrainase të nisin bisedime serioze (me rebelët)”, deklaroi Putin.
Kombet e Bashkuara kanë ndalur në 2600 numrin e personave të vrarë që nga nisja e konfliktit të armatosur në muajin prill, kur aneksimi i Krimesë nga Rusia u dha kurajo rebelëve në Donetsk dhe Luhansk të rrëmbenin armët dhe të merrnin nën kontroll dy rajonet.
Së fundmi rebelët hapën një front të ri luftimesh, në jug-lindje të vendit duke marrë në kontroll qytetin-port Novoazovsk. Orët e fundit raportohen luftime të ashpra pranë qytetit Mariopol, konsideruar si pikë strategjike për fatet e konfliktit.
Ushtria ukrainase ka përforcuar pozicionet e saj jashtë qytetit për ndaljen e ofensivës së rebelëve. Besohet se strategjia e ndjekur nga separatistët synon krijimin e një korridori tokësor mes zonave lindore ku vazhdojnë luftimet dhe Krimesë, totalisht nën kontrollin rus.
Top Channel