
Ekstremistët kanë zënë rob 43 paqeruajtës të OKB-së në Lartësitë Golan që shtrihen mes Izraelit dhe Sirisë. Incidenti ndodhi në kohën kur në rajon po zhvilloheshin luftime ndërmjet “elementëve të armatosur” dhe ushtrisë së Damaskut.
Sipas zëdhënësit të Kombeve të Bashkuara, Stefan Dujarriç, kaskat blu janë marrë peng ne në anën siriane të Lartësive Golan dhe i përkasin trupës vëzhguese të OKB-së, UNDOF.
Organizata njoftoi se po ben çmos që të sigurojë lirimin e tyre sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërsa rrëfen se ende nuk ka mundur të identifikojë rrëmbyesit. “Disa grupe pretendojnë se i takojnë frontit Al-Nusra, por nuk e konfirmojmë dot”, tha Dujarriç.
Në luftën civile në Siri, e cila po vazhdon prej më shumë se tre vjetësh, janë përfshirë grupe të ndryshme radikale, pjesërisht kundërshtare me njëra-tjetrën.
Mes trye janë edhe militantët e Shtetit Islamik në Irak e Levant, i konsideruar mjaft brutal e aspak ngurrues kur vjen fjala tek ekzekutimi i të huajve të marrë peng.
Forca e OKB-së UNDOF monitoron marrëveshjen e armëpushimit të vitit 1974 midis Izraelit dhe Sirisë. Misioni ka aktualisht 1.200 ushtarë nga gjashtë vende të botës: India, Irlanda, Holanda, Nepali, Filipinet dhe ishujt Fixhi.
Dy të tretat e pjesës perëndimore të Lartësive Golan u pushtuan nga Izraeli në vitin 1967 dhe u aneksuan në vitin 1981, veprim që komuniteti ndërkombëtar nuk e njeh zyrtarisht, ndërsa pjesa e mbetur prej 510 kilometrash katrorë është nën kontrollin e Sirisë.
Top Channel