
Forcat kurde njoftuan marrjen nën kontroll të disa zonave naftë-mbajtëse pranë Mosulit në veri të Irakut.
Sulmet ndaj militantëve të ISIS, që kontrollonin zonat e njohura si Ain Zalah të pasura me naftë nisën nga trupat kurde Peshmerga të enjten në mëngjes. Ditët e fundit forcat kurde dhe ato irakiane, të ndihmuara edhe nga sulmet ajrore amerikane kanë kaluar në ofensivë kundër militantëve ekstremistë.
Një zëdhënës i trupave Peshmerga tha se ekstremistët në tërheqje e sipër kanë hedhur në erë vend-burimet e naftës. Dëshmitarët raportojnë shtëllunga të mëdha tymi për kilometra me radhë.
Dhuna e pashembullt dhe krimet çnjerëzore të ISIS kanë detyruar mbi 1.2 milion irakianë të zhvendosen nga banesat e tyre, përfshirë këtu të krishterë dhe myslimanë shiitë që për ISIS nuk janë myslimanë të vërtetë.
Më herët ISIS publikoi një video drejtuar forcave kurde të angazhuara në luftën kundër tij. Tre xhihadistë të veshur me të zeza e me fytyra të mbuluara i prenë kokën një ushtari kurd dhe pamjet filmike, ashtu si në rastin e reporterit amerikan James Foley i hodhën në internet.
Në videon e titulluar: “mesazh i shkruajtur me gjak”, militantët thonë se kanë disa luftëtarë Peshmerga në duart e tyre dhe i bëjnë thirrje të tjerëve të tërhiqen nëse nuk duan të kenë të njëjtin fund me të riun e ekzekutuar përpara një xhamie.
Peshmergatë kurdë nga rajoni autonom i Kurdistanit në Irakun verior janë përpjekur prej javësh të zmbrapsin avancimin e ISIS-it, të mbështetur edhe nga sulmet ajrore amerikane.
Grupi militant sunit shpalli një kalifat islamik në territoret e Sirise dhe Irakut, që ka sot nën kontroll. Videoja e fundit e prodhuar me qëllimin e qartë që të mbjellë frikë, ashtu si dhe e para synon të trembë kurdët që luftojnë kundër militantëve në veri të Irakut.
Si për ta bërë akoma më të besueshëm e më tmerrues filmimin, ekzekutimi është xhiruar në dy kënde të ndryshme. Por sfondi këtë radhë nuk është neutral.
Jo pa qëllim, vrasja është zgjedhur të kryhet përpara xhamisë qendrore të Mosulit, një provokim i hapur ky që kërkon të tregojë se qyteti tashmë është krejtësisht në duart e xhihadistëve.
Top Channel