Policia greke ka marrë masa jashtëzakonisht të rrepta për të mos lejuar të ndodhin incidente në ceremoninë e betimit të Këshillit të ri Bashkiak të Athinës.

Mes këshilltarëve do të betohet edhe deputeti dhe zëdhënësi i Agimit të Artë, Ilias Kasidhiaris, të cilit i është dhënë leje 24-orëshe pasi ndodhet në paraburgim, si dhe vajza e liderit të kësaj partie, Nikos Mihaloliakos, që ndodhet në burg në pritje të gjyqit, me akuzat për organizim dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.

Disa organizata antifashiste kanë deklaruar se do të mblidhen në vendin e betimit, ndërsa nga ana tjetër pritet edhe një pjesëmarrje e gjerë e mbështetësve të AA.

Të enjten në mesditë, ceremonia e betimit të Këshillit Bashkiak të Selanikut u zhvillua në një klimë tepër të tensionuar, pasi në sallë ndodheshin antifashistë dhe neonazistë që hidhnin parrulla orë e çast dhe nuk lejonin zhvillimin e proçedurës.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku Janis Boutaris, i njohur për pozicionimin e tij ndaj ekstremistëve të djathtë, u betua duke ngjitur në xhaketën e tij yllin e Davidit, si për t’u kujtuar gjithë bashkëqytetarëve të tij se çfarë torturash kanë shkaktuar nazistët tek hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ndërkohë, opinioni publik grek është shokuar dhe tronditur nga publikimi i disa materialeve audio të gjetura në telefonin e zëdhënësit të AA, Ilias Kasidhiaris.

Ai dhe një prej deputetëve të burgosur të kësaj partie qeshin dhe tallen me fjalët e një kënge të përshtatur prej neonazistëve për 15-vjeçarin Aleksis Grigoropoulos, vetëm 7 ditë pas vrasjes së tij nga policia greke, në dhjetor 2008, ngjarje që solli edhe revolta të dhunshme për disa ditë në Athinë dhe qytete të tjera të vendit.

Top Channel