Lagarde nuk dorëhiqet

28/08/2014 00:00

Vitin e kaluar, Christine Lagarde arriti t’i shpëtonte një hetimi zyrtar, por tani shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar përballet me të shkuarën e saj si ministre e Ekonomisë në Francë.

Prokuroria franceze nisi një hetim kundër 58-vjeçares. Padia ka të bëjë me të ashtuquajturën “çështja Bernard Tapie” dhe është ngritur për “neglizhencë”, por Lagarde deklaroi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen: “Pas tre vitesh hetime, pretendimi i vetëm kundër meje është ai se nuk u tregova sa duhet “vigjilente” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me biznesmenin Bernard Tapie dhe shitjen e aksioneve që ai kishte në firmën Adidas. Unë nuk do të dorëhiqem, por do kthehem në Uashington për t’i dhënë shpjegime një bordi të FMN-së.”
 
Në “çështjen Tapie” është fjala për shitjen e sipërmarrjes gjermane të artikujve sportivë Adidas. Në vitin 1990, Bernard Tapie, asokohe një nga emrat më të njohur të biznesit francez dhe ish-pronar i klubit të futbollit Olympique Marseille, bleu shumicën e aksioneve të Adidasit. Tre vjet më vonë, Tapie ngarkoi bankën franceze Crédit Lyonnais t’i rishiste këto aksione. Banka shtetërore nuk lejohej as të blinte vetë prej tyre dhe as të nxirrte fitim nga shitja, por sipas Tapie kishte bërë pikërisht këtë gjë, ndaj ai iu drejtua gjykatës. Pas një grindjeje 15-vjeçare, në këtë çështje u përfshi edhe Christine Lagarde, atëherë ministre e Ekonomisë dhe e Financave në qeverinë e Nicolas Sarkozy.

Ajo ngarkoi në vitin 2007 një gjykatë private arbitrazhi për ta zgjidhur problemin. Tapie mori një dëmshpërblim prej 285 milionë eurosh e bashkë me përqindjet e interesit shuma shkoi në 400 milionë euro. Sot spekulohet se Lagarde e angazhoi gjykatën private të arbitrazhit me nxitjen e Sarkozy-së. Shuma e kompensimit mendohet se mund të ishte një shërbim mes miqsh për biznesmenin, i cili në vitin 2007 kishte mbështetur fushatën zgjedhore të ish-presidentit francez.

Top Channel