Egjipt, akuzohet për spiunazh Mohamed Morsi

28/08/2014 00:00

Një hetim i ri është nisur ndaj ish-presidentit të Egjiptit Mohamed Morsi për spiunazh. Ai dyshohet se ka dorëzuar në Katar dokumente të sigurisë kombëtare, ka njoftuar të mërkurën agjencia shtetërore e lajmeve. Nëse akuza do të vërtetohet ish-presidenti rrezikon dënimin me vdekje.

Në muajin mars, Ministri i Brendshëm i Egjiptit ka akuzuar ish-sekretarin e Mohamed Morsit se i ka dorëzuar një kryeredaktori të “Al-Jazeera”-s dokumente, të cilat përmbanin informacione mbi ushtrinë egjiptiane.

Pas rrëzimit të Morsit më 3 korrik të vitit 2013 Vëllazëria Myslimane u cilësua si një grup terrorist. Marrëdhëniet mes Egjiptit dhe Katarit u përkeqësuan, pasi Kajro ka kritikuar Katarin për mbështetje financiare të Vëllazërisë Myslimane. Egjipti dënoi 3 gazetarë të “Al-Jazeera” deri në 10 vite burg në muajin qershor, dy prej të cilëve egjiptianë, të redaksisë vendore dhe një australian, me akuzën se me informacionet e tyre kanë ndihmuar organizata terroriste.

Rrjeti televiziv njihet për mbështetjen që i ka dhënë Vëllazërisë Muslimane dhe ka qenë kundër grushtit të shtetit me heqjen e ish-presidenti Morsi.

Më shumë se 15 mijë demostrues pro-Morsit janë burgosur, ndërsa qindra të tjerë u dënuan me vdekje në gjyqet masive, të cilat sollën zemërimin e ndërkombëtarëve. Tre akuza të tjera janë ngritur më parë mbi Morsin, duke përfshirë edhe një për spiunazh.

Top Channel