Rrëzohet avioni i flotës greke

26/08/2014 00:00

Flota ushtarake greke ka humbur mengjesin e së martës një prej avionëve të saj luftarakë. Bëhet fjalë për një avion të tipit “A-7” Corsair, bombardues nga lartësi të vogla, që konsiderohet si modeli më i vjetër që zotërojnë Forcat e Armatosura greke.

Ky model është porositur që në vitin 1974 dhe avionë të tillë kanë marrë pjesë në luftën e Vietnamit. Por ndërsa shumë vende europiane që kishin blerë avionët “A-7” nuk i kanë përdorur me që prej viteve 90, Greqia vazhdon të përdorë shumë të tillë.

Aksidenti ka ndodhur pas orës 9 të mëngjesit, kur avioni, që ka vetëm një motor, ka pësuar një defekt. Për fat të mirë piloti, që ka pasur një eksperiencë të madhe në fluturime dhe që ka ruajtur gjakftohtësinë, e ka çuar atë në një zonë ku nuk kishte rrezik.

Pasi ka përdorur mekanizmin e hedhjes së sediljes me parashutë ai e ka braktisur mjetin, që kur ka prekur tokën nuk ka shkaktuar dëme të tjera në zonën e caktuar të stërvitjes ushtarake në Komotini, pranë kufijve me Turqinë.

Ky është rasti i dytë brenda tre muajve që Flota Ushtarake greke humb një avion të saj. Më 5 maj ne Mihanjona të Selanikut një avion zjarrfikës i tipit Canadair “CL- 415” ra në det gjatë një stërvitjeje. Për fat të mirë dy pilotët e tij dolën në kohë nga avioni.

Top Channel