Në pranga dy nga “grupi i zjarrit”

26/08/2014 00:00

Shkon në dy numri i të arresturave të “grupit të zjarrit” të cilët pak ditë më parë qëlluan me armë në drejtim të helikopterit të policisë gjatë aksionit “anti-kanabis” në Dukagjin.

Me anë të një konferencë për shtyp, Drejtori i Policisë së Qarkut Shkodër, Shaban Nexhi bën të ditur se pas dorëzimit të 19-vjeçarit Pal Dushku, gjatë pasdites të së martës në pranga ka rënë dhe 25-vjeçari Fatmir Shpati, banues në Grudë e Re, Komuna Rrethina e Shkodrës.

Arrestimi i tij është bërë pasi dyshohet si autori i organizimit dhe sulmit, ku u goditën me armë zjarri helikopteri i ushtrisë dhe i Policisë së Shtetit.

Ndërkaq nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se Shpati është edhe kultivues i disa parcelave me bimë narkotike në zonat e fshatit Pult. Po ashtu në pranga ka rënë dhe 52-vjeçari Gjon Bungu, kryeplak i fshatit Plan, Komuna Pult për veprën penale të moskallëzimit të krimit dhe shpërdorimit të detyrës, pasi nuk ka njoftuar strukturat e shtetit për kultivimin e bimëve narkotike.

Sipas Drejtorit të Policisë së Shkodrës gjatë ditës së martë janë asgjesuar rreth 13.000 rrënjë bimë të dyshuara kanabis sativa, të identifikuara në zonën e Komunës Pult në fshatrat Bruçaj, Likaj dhe Xhan, ndërsa gjatë 6 ditëve të operacionit në zonën e Dukagjinit janë asgjesuar 99.960 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa.

Top Channel