Zbatimi i ligjit antiduhan duket se ka nisur mirë. Edhe pse hyri në fuqi në fundjavë, pronarët e lokaleve janë ndërgjegjësuar dhe nuk kanë lejuar, që brenda ambienteve të mbyllura të lejojnë duhanpirjen, duke mos pritur gjobën e parë e pas saj të respektonin ligjin.

Zëvendëministri i Shëndetësisë, Kodian Rjepaj, theksoi se zbatimi i këtij ligji nuk pritet vetëm nga ndëshkimi me gjobë, por te përgjigja e qytetarëve për ta mbështetur zbatimin e tij, pasi qëllimi nuk është të ndëshkojmë.

“Dëshiroj të them që ky nuk është një ligj penalizues. Penalizmi do të vijë në momentin kur, edhe pas sensibilizimit, nuk ka reagim, por unë besoj se me reagimet e para, që kemi pasur nga Vlora, Saranda, Shkodra, apo dhe nga qytete të tjera, duket një fillim i mirë. Mund të them se edhe në disa ambiente të llotove sportive, ndër vendet ku konsumohet më shumë duhan, kemi pasur një sensibilizim të rritur. Vet pronarët apo njerëzit nuk e kanë konsumuar duhanin këto ditë. Kështu që unë besoj se do të ecim në këtë ritëm, kjo nuk është një fushatë, nuk është një aksion. Do të jetë një punë e përditshme në zbatimin e ligjit antiduhan”, u shpreh zv/ministri Klodian Rrjepaj.

Inspektoriati Shëndetësor Shtetëror ka shpërndarë grupet e punës, jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë Shqipërinë. Zv/ministri Rjepaj, i shoqëruar nga kryeinspektori Eltar Deda, si dhe kreu i Inspektoriatit Shëndetësor për Tiranën, Gjergji Koja, kanë vizituar Poliklinikën Qendrore në Tiranë, duke dhënë mesazhin për të gjitha institucionet shëndetësore mbi ndryshimet e ligjit, të cilave u ka mbërritur edhe urdhëresa e ministrit të Shëndetësisë.

“Besojmë që ka një sqarim si asnjëherë tjetër. Sot jemi në një vizitë në një institucion që është në varësi të sistemit shëndetësor. Pra e fillojmë nga vetja. Informuam drejtoreshën dhe stafin në lidhje me ndryshimet e bëra, një urdhër ministri ka ardhur në institucion në lidhje me zbatimin e ligjit anti duhan. Vërej me kënaqësi që ka një sensibilitet të shtuar, ka edhe persona që merren specifikisht në këtë institucion. Po ashtu inspektorë shtetërore shëndetësorë janë shpërndarë sot në të gjitha rrethet e vendit”, vijoi më tej zv/ministri Rrjepaj.

Inspektorë të të gjithë Inspektoriateve që funksionojnë në vend janë angazhuar për monitorimin e zbatimit të ligjit anti duhan, si në subjekte private, ashtu dhe në ato publike, pasi në dështimin tri herë të ligjit të mëparshëm është lakuar edhe kafeneja, që ndohet brenda godinës së Parlamentit, ku vetë deputetët që e kishin hartuar dhe miratuar atë ligj, e shkelnin të parët.

Top Channel