Edhe pas pushimeve verore, ulëset e deputetëve të opozitës maqedonase në Kuvend do të mbeten të zbrazëta.

Në bazë të strategjisë së re partiake, deputetët e Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, nga Shtatori do të komunikojnë me qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë, përmes takimeve të përbashkëta.

Nga partia opozitare LSDM njoftojnë se, fushatës së deputetëve do t’i bashkëngjiten edhe 5000 përfaqësues partiak, që do t’i do të dëgjojnë problemet e qytetarëve dhe do të paraqesin ide për zgjidhjen e tyre.

Social-demokratët maqedonas kanë rikonfirmuar qëndrimin se bojkoti i Parlamentit do të ndërpritet, vetëm nëse pushtetit do pranojë kërkesën e tyre për formimin e qeverisë teknike. Në këtë drejtim, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, ka bërë të ditur se është i gatshëm, që të vazhdojë dialogun politik me kryeministrin Nikola Gruevski.

Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, partia e të cilit nuk i njeh zgjedhjet e fundit parlamentare, konsideron se vetëm një qeveri teknike mund të garantojë zgjedhje të lira dhe demokratike në Maqedoni. Në tentim të tejkalimit të krizës politike, dy liderët maqedonas në pushtet dhe opozitë kanë realizuar në Qershor një takim, i cili rezultoi i pasuksesshëm.

Analistët në Maqedoni nuk besojnë se kjo krizë politike mund të tejkalohet, pa ndërmjetësim dhe presion të fuqishëm ndërkombëtar.

Top Channel