Operacioni anti-cannabis në Dukagjin

24/08/2014 00:00

Që në orët e para të mëngjesit të së dielës, forcat policore kanë vijuar operacionin për identifikimin dhe asgjesimin e parcelave të mbjella me bimë narkotike në zonën e Dukagjinit, Shkodër.

Gjatë ditës së sotme, në këtë operacion policor, i cili është shtrirë në fshatrat Pog, Xhan, Kasnec dhe Kir, janë angazhuar 140 forca policore dhe 13 automjete.

Gjatë së dielës u identifikuan 8 parcela, në të cilat ishin mbjellë 2300 rrënjë bimë, të dyshuar cannabis sativa, të cilat u asgjesuan me djegie.

Policia vazhdon njëkohësisht edhe kërkimin e personave, të cilët qëlluan me armë dy ditë më para ndaj helikopterëve të policisë. Gjatë së dielës, pavarësisht se operacioni zgjati me orë të tëra nuk u dëgjuan të shtëna me armë.

Oficerët e policisë Gjyqësore, të cilët i janë bashkangjitur forcave të policisë kryen veprimet proceduriale në vend, për t’i dhënë mundësi policisë të djeg bimët e sekuestruara.

Policia e Shtetit nuk ka ndërmend të tërhiqet nga zona e Dukagjinit, në një deklaratë për shtyp ajo thekson se ka ngritur një kamping për forcat policore, duke u nisur edhe nga fakti i terrenit të vështirë. Kjo është bërë, sipas policisë, për të menaxhuar sa më mirë operacionin policorë. Aksioni është në ditën e katërt të tij.

Ndërkohë, vetëm një ditë më parë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka paralajmëruar se do t’i shkohet deri në fund këtij operacioni duke shprehur vendosmërinë për ta pastruar vendin nga zaptimi i çdo hapësire të mbjellë me lëndë narkotike, edhe pse siç theksoi ai, një Shqipëri e tillë është e trashëguar nga qeveria e mëparshme.


Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, u shpreh se nëse do ketë të shtëna me armë ndaj policisë, kjo e fundit do të kundërpërgjigjet. Didi u shpreh se operacioni në Dukagjin ka qenë më i vështirë se në Lazarat, për shkak të terrenit të thyer malor. Sipas tij, nuk ka ende persona të arrestuar, por ka të dyshuar, ndaj të cilëve ka nisur procedimi policor dhe pritet të nisë procedimi penal. Madje, Policia e Shtetit ka vendosur edhe një shpërblim prej 100 mijë euro për ata që japin informacione mbi personat që kanë qëlluar ndaj policisë gjatë ditëve të mëparshme.

Top Channel