Ebola shpërthen në zonat rurale

23/08/2014 00:00

Organizata Botërore e Shëndetësisë u detyrua të pranojë se shpejtësia e përhapjes së epidemisë së Ebolës dhe shtrirja e saj në Afrikën perëndimore është e papreçedentë.

Ekspertët shprehin shqetësim edhe për të ashtuquajturat “zona të errëta”, ku ekipet e ndihmës nuk kanë mundur të mbërrijnë e për pasojë, pacientët e mundshëm nuk janë diktuar.

Të paktën 142 raste të reja janë konfirmuar nga OBSH-ja që prej 19 gushtit dhe të paktën 77 vdekje. Vetëm në këto nivele, bilanci i jetëve të humbura nga Ebola këtë vit është më i larti i regjistruar ndonjëherë.

“Nuk kemi parë shpërthim kaq të shpejtë të Ebolës sa ky në qytete e zona rurale. Shtrirja është tepër e madhe dhe përhapja me ritme të paregjistruara ndonjëherë më parë”, deklaroi Keiji Fukuda, specialist i OBSH-së.

Në total, numri i vdekjeve deri tani nga epidemia është rreth 1.430, ndërsa ai i të prekurve nga sëmundja e rrezikshme 2.600. Sipas doktor Fukudës, vënia nën fre e Ebolës në këto kushte do të jetë e vështirë e do të kërkojë muaj të tërë.

Organizatat e ndihmës e kanë dhënë alarmin që javën e kaluar. Epidemia sipas tyre është shumë më e rëndë nga sa mendohej dhe kërkon vëmendje të veçantë. Vendet më të prekura nga virusi janë Liberia, Sierra Leone dhe Guinea.

Në vend të katërt vjen Nigeria. Në kryeqytetin e së cilës, Lagos, situata ka marrë përmasa dramatike pasi mjekët dhe personeli i specializuar janë larguar nga spitalet prej frikës së infektimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB