Dy emra të njohur të kinematografisë botërore, fitues të çmimit Oscar, regjisori Richard Pearce dhe bashkëshortja e tij, montazhierja Leenzy Klingman jane të ftuarit specialë në festivalin e filmit dokumentar dhe atij të shkurtër DokuFest në Prizren.

Richard Pearce fitoi Oscar me filmin dokumentar për luftën në Vietnam “Hearts and Minds”. Ai po ashtu është fitues i Ariut të Artë në Festivalin ndërkombëtarë të filmit në Berlin. Pearce është gjithashtu autor i shumë filmave dhe serialeve televizive si “Heartland”, “No mercy”, serialit “CSI:Miami”, etj.

Ndërsa Lynzee Klingman njihet për punën e saj në filmin “Fluturimi në folenë e qyqes”, që u nominua për Oscar dhe u shpërblye për fotografinë më të mirë, si dhe për dokumentarin “Hearts and Minds”. Filma të tjerë të njohur ku ka punuar Klingman janë “Qyteti i Ëngjëjve”, “Matilda”, etj.

Lynzee Klingman është po ashtu fituese e cmimit Bafta. Edhe pse nuk kishin dëgjuar për Kosovën ose filmat kosovarë, duket se DokuFest ishte momenti i duhur për t’u njohur me Prizrenin dhe popullin e Kosovës.

“Jemi me të vërtetë shumë të kënaqur që jemi këtu. Po flas edhe për bashkëshortin tim, e di që pajtohet me mua. Kaluam ditë të bukura. Të gjithë që takuam në Kosovë ishin shumë mikëpritës, të shoqërueshëm, argëtues dhe tërheqes. Kam një listë të pafund me komplimente për njerëzit në Kosovë. Seleksionimi i filmave ishte shumë i mirë, kam parë disa prej tyre. Do të realizoj një dokumentar që të mund të kthehem këtu me filmin tim”, thotë Klingman.

Edhe Pearce shprehet i kënaqur me tregimet e pjesëmarrësve në diskutimet e tryezes me temë “Stories We Tell”, në kuadër të DokuFest, ku shumica prej tyre ishin nga Shqipëria.

“Tregimet ishin të gjitha të ndryshme dhe ishte emocionuese për mua, sepse kjo është një botë që nuk kam aspak njohuri për të. Sikurse për gruan time, kjo ishte diçka e re dhe pjesë e argëtimit ishte të mësoja për relizimin e filmave në Ballkan dhe tregimet e Ballkanit”, tha Pearce.

Lynzee Klingman, që i kushtoi gjithë jetën filmit, përmes kameras së Top Channel dha një porosi për të gjithë të rinjtë që kanë vendosur të merren me kinematografi.

“Trokisni në dyer, qeshni, mos u shkurajoni sepse disa njerëz edhe fitojnë punë në film. Është shumë e vështirë dhe konkurruese. Iu them atyre që duan të jenë kameramanë: filmoni; montazhjerëve, merre atë pamje dhe prije; por bëhuni gati të ndihmoni sepse nuk mund të shkoni drejt e në majë. Kështu funksionon në gjithë botën. Dhe thuajini montazhierëve sa të mrekullueshëm janë”, shprehet ajo.

Klingman dhe Pearce premtuan se do të flasin dhe do ta promovojnë Kosovën në industrinë kinematografike nëpër botë.

Top Channel