Në protestën e fundit kundër dënimit të 6 shqiptarëve me burg të përjetshëm në rastin gjyqësor “Monstra’, drejtuesit e protestave njoftuan se kanë siguruar disa dëshmi që sipas tyre, dëshmojnë pafajësinë e të dënuarve.

Megjithatë, për t’i shpalosur këto dëshmi, ata kërkuan që institucionet ndërkombëtare të ofrojnë mbrojte për dëshmitarët.

“Nga takimet tona me disa qytetarë kemi ardhur deri te informacione se zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme, menjëherë pas vrasjes në Smilkovcë, kanë kërkuar individ të cilëve do t’ua mveshnin rastin. Që këto dyshime të zbardhen dhe e vërteta të dal në shesh duhet që institucionet e lartë përmendura (ambasada e SHBA-së dhe e BE-së) të sigurojnë imunitet të plotë për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në zbardhjen përfundimtare të rastit të montuar politik “Monstra”, u shpreh Daim Luçi, Këshilli Organizativ i Protestave.

Familjarët e të dënuarve u ankuan për kushte mizore nëpër burgjet ku ndodhen të afërmit e tyre, kurse organizatorët e protestave i kanë bërë thirrje Avokatit të Popullit, Komitetit Helsinkut dhe OSBE-së të vizitojnë të burgosurit.

“Ne kërkojmë drejtësi, barazi dhe liri për të gjithë, jo drejtësi të njëanshme, drejtësi, e cila i imponohet me forcë gjyqësorit dhe me diktat shpallen aktvendime”, tha Bedri Ajdari, kryetar i Këshillit Organizativ të Protestave.

Lëvizja e marshit protestues drejt godinës së Qeverisë së Maqedonisë edhe këtë herë u pengua nga forca të shumta policore që bllokuan protestuesit në mes të rrugës. Megjithatë, organizatorët thonë se edhe përkundër presioneve të shumta, protestat nuk do të ndalen deri në lirimin e 6 shqiptarëve të dënuar me burg të përjetshëm.

Top Channel