Adoleshentët izraelitë u vranë nga Hamasi

23/08/2014 00:00

Rrëmbimi dhe vrasje e tre adoleshentëve izraelitë në muajin qershor është kryer nga militantë të Hamasit, por pa vënë në dijeni udhëheqësit, ka thënë gjatë së premtes një zyrtar i lart i organizatës.

“Në atë kohë udhëheqësit e Hamasit nuk ishin informuar për operacionin e kryer nga anëtarë të grupit. Më vonë ne u njoftuam për ngjarjen dhe autorët e saj”, ka thënë Saleh Aruri, një prej udhëheqësve të Hamasit.

Saleh Aruri shtoi se operacioni për rrëmbimin e adoleshentëve nuk ishte miratuar nga lidershipi i Hamasit apo mbështetësit e tij.

Rrëmbimi dhe më pas vrasja e tre adoleshentëve izraelitë u bë shkas për nisjen e sulmeve ajrorë izraelite në drejtim të Gazës, me synimin për të goditur zonat ku strehoheshin militantët, por që prej asaj kohe të paktën 2095 palestinezë kanë mbetur të vrarë, ku shumica prej tyre janë civilë, ndërsa 68 kanë vdekur në radhët e izraelitëve, shumica prej tyre kanë qenë ushtarë.

Gjatë ditës së premte, një 4 vjeçar izraelit ka mbetur i vdekur pas një sulmi me mortaja nga militantët e Hamasit. Kryeministri i Izraelit ka reaguar menjëherë për sulmin, duke thënë se, “pas kësaj ngjarjeje sulmet do të shtohen dhe Hamasi do të paguajë shtrenjtë”.

Po tw premten, njerëz të armatosur, të udhëhequr nga Hamasi në Gaza, kanë ekzekutuar 18 palestinezë të akuzuar si bashkëpunëtorë të Izraelit, një ditë pasi forcat izraelite vranë 3 komandantë të Hamasit, të cilësuar si liderët më të lartë që kanë humbur jetën në luftën 6-javore.

Militantë të maskuar dhe të veshur me të zeza qëlluan për vdekje 7 prej të dënuarve, fytyrat e të cilëve ishin të mbuluara dhe duart e lidhura, përpara besimtarëve që po dilnin nga xhamia Omari në sheshin “Palestina”, në atë që konsiderohet si ekzekutimi i parë publik në këtë enklavë që prej viteve ’90.

Top Channel