PDK përshëndet vendimin e gjykatës

22/08/2014 00:00

Vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, për anulimin e zgjedhjes së Isa Mustafës kryetar të Kuvendit, është duartrokitur nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa ka lënë edhe pak shpresë te blloku i koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-NISMA.

Nëpërmjet një komunikate për media, PDK e cilëson vendimn si një akt i vendosjes së kushtetueshmërisë në vend dhe si një tregues i fuqishëm se vullneti i qytetarëve, i shprehur në zgjedhjet e 8 Qershorit, është suprem dhe i patjetërsueshëm.

“Partia Demokratike e Kosovës, si prijëse e proceseve shtetformuese në Republikën e Kosovës, do të punojë intensivisht që, sa më shpejt të formohen institucionet e reja në Kosovë, në përputhje me mandatin, që ka marrë nga qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Në një postim në Facebook, edhe kryeministri Thaçi thotë se Gjykata Kushtetuese i hapi rrugë formimit të institucioneve të Kosovës në përputhje me vullnetin e qytetarëve, të shprehur në zgjedhjet e 8 Qershorit.

Tjetër disponim ka në mesin e liderëve të bllokut LDK-AAK-Nisma. Ata u takuan në orarin e zakonshëm tashmë, ora 13:00, në selinë e grupit parlamentar të LDK-së, por duket se pa e pritur publikimin e vendimit në po të njëjtën kohë. Blloku  vazhdon me kandidaturën e Isa Mustafës.

Duke folur në emër të tri partive, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj tha për Top Channel se është në pritje të vendimit të plotë të gjykatës, i cili sipas tij do të ofrojë të njëjtën zgjidhje, sikurse për të mandatuarin e qeverisë, duke iu dhënë mundësinë e propozimit të kryetarit të Kuvendit të dyja palëve.

“Ne kemi gjykuar se shumicës politike në vend, në këtë rast koalicionit LDK-AAK-Nisma, nuk mund t’i mohohet e drejta në kandidaturë për kryetar të Parlamentit, përndryshe mohimi i kësaj të drejte do të thoshte vajtje në zgjedhje. Pra nuk ka ndryshuar asgjë, kjo ngaqë edhe vendimi nuk është i plotë, është një njoftim për media. Në vendimin e plotë ne presim që të jetë e parashikuar edhe e drejta në kandidaturë. Iu kujtohet qytetarëve të vendit edhe opsioni për të mandatuarin. Në rast se në Parlament detyrohemi të kthehemi të votojmë kryetarin Mustafa, do ta bëjmë këtë, besoj me shumicë më të madhe votash se sa herën e parë, për shkak se ky projekt dhe vendosmëria jonë është serioze”, u shpreh Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Haradinaj tha se vendimi i gjykatës, edhe pse jo i favorshëm, e ka motivuar bllokun që të vazhdojë bashkëpunimin, ndërsa i pyetur nëse ishte i pritshëm ky vendim, ai tha:

“Ne e dimë se ku po jetojmë, në Kosovë. Jemi të vetëdijshëm se ndryshimet janë jo të lehta, por dimë rëndësinë e këtyre ndryshimeve. Do të punojmë së bashku si shumicë politike në Kuvend me të gjithë partnerët e mundshëm, që të ndryshojmë gjendjen në vend, pra të ndërpresim regjimin Thaçi dhe të kalojmë në një qeverisje demokratike në vend. Të bashkuar dhe më të motivuar seancën e ardhshme, në mënyrë që të zgjedhim kandidatin tonë në krye të Parlamentit, zotin Mustafa, dhe të vazhdojmë më tutje me ndërtimin e institucioneve”, deklaroi në fund Ramush Haradinaj.

Edhe në komunikatën e përbashkët thuhet se blloku, ndërsa pret publikimin e tekstit përfundimtar, është i bindur që e drejta për kandidim i është njohur koalicionit dhe në këtë mënyrë hapet dera e vetme për krijimin e institucioneve të reja. Ka qenë kryetari i LDK-së Isa Mustafa, i cili të paktën për sot, vendosi t’i shmanget paraqitjes në media.

Top Channel