PD, për inkriminimin e Kuvendit

21/08/2014 00:00

Selia blu ka vijuar për të 42-tën ditë me radhë denoncimin e asaj që e konsiderojnë inkriminim të Parlamentit, me përfshirjen e deputetëve me precedent penalë si Arben Ndoka, për të cilin bëjnë fajtor kryeministrin Rama dhe heshtjen e tij përpara provave të kundërshtueshme, siç deklaroi Koordinatorja për Mediat, Silvi Bardhi.

“Faktet tronditëse, që dëshmojnë inkriminimin e Parlamentit, njihen prej 42 ditësh. Çdo qytetar i vendit ka mësuar se Edi Rama i ka hapur dyert e Parlamentit, deputetëve me precedent penalë, të dënuar me 7 vite burg për shfrytëzim prostitucioni dhe rrëmbim personi. Dhe çdo qytetar i vendit u bë dëshmitar i skenarit të Ramës, të goditjes dhe kërcënimit me jetë të përfaqësuesve të opozitës, prej këtyre deputetëve”, akuzoi koordinatorja për median.

“Ka, mesa duket, një arsye të fortë pse Edi Rama ka futur në Parlament deputetë me të kaluar kriminale. Për të shantazhuar opozitën, për t’i mbyllur asaj gojën. Por, letrat janë hapur dhe tashmë gjithë publiku i di emrat, faktet, provat”, ka vijuar më tej Silvi Bardhi.

“Edi Rama hesht prej 42 ditësh, pavarësisht se ai është hartuesi i skenarëve të dhunës anti-opozitë. Pavarësisht se me firmën dhe vulën e tij gëzojnë sot mandatin dhe imunitetin e deputetit persona me precedent penalë. Faktet e inkriminimit të Parlamentit nuk heshten dot, dhe pse hesht Edi Rama prej 42 ditësh. Përkundrazi, faktet rëndojnë më shumë, sa më shumë kohë kalon dhe sa më shumë thellohet papërgjegjshmëria e mosllogaridhënia e Kryeministrit”, ka përfunduar Silvi Bardhi.

Top Channel