Agjencia Kundër Korrupsionit në Kosovë ka publikuar të enjten formularët e deklarimit të pasurisë së deputetëve të rinj të Kuvendit. Për herë të parë pasurinë e tyre është dashur ta bëjnë publike
nënkryetarja e PDK-së Margarita Kadriu, por edhe deputetët e rinj të
LDK-së, Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës për Kosovën.

Sipas të dhënave që ka deklaruar, nënkryetarja e PDK-së Margarita Kadriu ka paraqitur si para të gatshme në bankë 205 mijë euro, ndërkohë që edhe pasuria e paluajtshme e saj rezulton mjaft me vlerë.

Pas disa vitesh, deklarimin e pasurisë është dashur ta bëjë edhe lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, pasi është zgjedhur deputet. Në formularin e pasurisë së Haradinajt shihen lëvizje pozitive në vitet e fundit, siç është rasti i blerjes së 200 hektarëve tokë për vetëm 75 mijë euro përmes procesit të privatizimit, por edhe blerja e një automjeti të blinduar, si dhe e një motoçiklete.

Të varfër nuk janë as deputetët e Fatmir Limajt. Deputeti Zafir Berisha ka deklaruar se ka një hotel me vlerë 600 mijë euro. Më i varfëri nga deputetët e rinj rezulton të jetë Ilir Deda i Vetëvendosjes. Sipas asaj që ka deklaruar, ai ka në llogari bankare vetëm 250 euro, ndërsa i detyrohet bankës 27 mijë euro kredi që ka marrë për studimet pasuniversitare.

Ndërsa deputetja më e re në moshë, vajza e ish-presidentit Ibrahim Rugova, Teuta, ka deklaruar në formular vetëm pasurinë e trashëguar prej 1.5 milionë eurosh, që është shtëpia e saj.

Përmes një komunikate për shtyp, Agjencia Kundër Korrupsionit ka njoftuar se me publikimin e formularëve të pasurisë së deputetëve të rinj ka përfunduar i tërë procesi i deklarimit të pasurisë.

Sipas ligjit për deklarimin e pasurisë, të gjithë deputetët e rinj kanë pasur për detyrim ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre brenda afatit 30 ditor pas marrjes së detyrës dhe tani të gjithë i takojnë kategorisë së zyrtarëve të lartë publik.

Mosdeklarimi i pasurisë në AKK, sipas ligjeve në fuqi përbën vepër penale dhe zyrtarët që nuk e deklarojnë dërgohen menjëherë në gjykatë.

Top Channel