Interesi mbarëbotëror që është shkaktuar nga zbulimi i rëndësishëm arkeologjik i atij që duket si varri më i lashtë antik i gjetur ndonjëherë në Greqi, i është shtuar nga gërmimet e orëve të fundit të specialistëve që po hyjnë në brendësi tumbës Kasta, te Amfipolisit antik, rreth 80 kilometra në verilindje të qytetit të dytë më të madh të Greqisë, Selanikut.

Në mesditën e së enjtes janë publikuar në mediat greke dhe ato të huaja, fotografitë përfundimtare të dy sfinksave që qëndrojnë në hyrje të tij, ndërsa thuhet se janë zbuluar edhe krahët e tyre, por ende jo kokat, të cilat vlerësohen që të ndodhen brenda varrit të shkëputura nga trupi për arsye të rënies së tavanit apo nga ndonjë tërmet i mundshme në mijëvjeçarët e kaluar.

Varri  i rrumbullakët në Amfipoli, me gjatësi prej 497 metrash, për të cilin kanë filluar gërmimet dy vjet më parë, daton në periudhën e hershme helenistike dhe vlerësohet të ketë qenë ndërtuar diku midis viteve 325 dhe 300 para Krishtit, pas vdekjes së Aleksandrit të Madh .

Arkeologët besojnë se për disa javë, në rast se varri nuk do të jetë i plaçkitur historikisht, do të kenë një përgjigje të saktë nëse i përket një prej mbretërve të kohës, pasardhësve të strategut të Madh, apo ndoshta gruas së tij, Roksanës dhe djalit të tij, Aleksandrit të IV.

Vetë Kryeministri Samaras , që ndoqi disa ditë më parë punimet , e ka cilësuar një zbulim jashtëzakonisht të madh dhe të rëndësishëm për historinë greke dhe për atë botërore.

“Toka e Maqedonisë sonë vazhdon të na emocionojë dhe të na befasojë, duke na zbuluar nga gjiri i saj thesare unikalë, që kompozojnë dhe tjerrin të gjitha bashkë, mozaikun unikal të historisë sonë greke”, u shpreh Andonis Samaras , Kryeministër i Greqisë.

Zbulimi arkeologjik dhe enigmat se çfarë fshehin dy sfinksat e Amfipolisit antik kanë rindezur divergjencat midis Shkupit dhe Athinës, kësaj here, nëpërmjet specialistëve.

Në një deklaratë në Utrinski Vesnik,arkeologu i  njohur , Pasko Kuzman  vlerëson se Amfipolisi i përket Maqedonisë, ashtu siç e njohin atë historianët e Shkupit  dhe se aty nuk ndodhet varri i Aleksandrit të Madh. Ndërsa, nga ana e tyre, politikanët grekë si dhe historianët dhe arkeologët vendas deklarojnë edhe njëherë se sa krenarë janë për historinë dhe heronjtë e tyre.

Top Channel