Rritja e temperaturave dhe mungesa e reshjeve të shiut kanë bërë, që niveli i ujrave në basenin e Hidrocentralit të Fierzës të bien ndjeshëm.

Ulja e nivelit të liqenit ka ardhur pas rënies së nivelit të prurjeve të lumenjve e përrenjve të Kukësit, Hasit e Tropojës, të cilat derdhen në këtë liqen.

Rënja më e theksuar është vërejtur gjatë ditës së enjte, kur pjesë toke që pak javë më parë ishin nën ujë kanë dalë në sipërfaqe.

Sipas ekspertëve, kjo rënie e nivelit pritet të zgjasë, duke qenë se meteorologët nuk kanë parashikuar reshje shiu në zonat malore, të cilat mund të ndikojnë pozitivisht në shtimin e sasisë së ujrave, që grumbullohen në këtë basen.

Periudha në vijim do jetë akoma më e thatë, situatë që pritet të zgjasë deri në muajin Shtator, kur pritet që kushtet meteorologjike të pësojnë ndryshime.

Liqeni i Fierzës, që shërben si rregullator i ujrave edhe për 2 Hidrocentralet e tjerë të mëdhenj të kaskadës së Drinit, Komanit dhe Vaut të Dejës, në nivelin maksimal të tij ka një kapacitet ujëmbajtës prej 2.7 miliardë metër kub ujë, në nivelin e 296 metrave mbi nivelin e detit.

Ndërsa në nivelin minimal, prej 242 metra mbi nivelin e detit, rezervat ujore janë vetëm 1,2 miliardë metër kub ujë, që nuk janë të shfrytëzueshme për prodhim energjie.

Top Channel