Paralajmërohet mosdekretimi i ndarjes së re

20/08/2014 00:00

Ashtu si shumë ligje të tjera të rëndësishme të miratuara nga mazhoranca në Kuvend, të cilat nuk kanë marrë dekretimin e Presidentit të Republikës, me sa duket edhe për reformën territoriale do të ketë të njëjtin vendim nga presidenca.

Të paktën sinjalet janë të tilla. Në limitetet e kohës për shprehjen e Presidentit të Republikës për reformën territoriale të miratuar nga Kuvendi më 31 korrik, kryetari I shtetit ka pritur në takim përfaqësues të Shoqatës së Komunave që e kanë kundërshtuar ndarjen e re.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se në këtë takim, Presidenti mbështeti plotësisht nismën e qeverisë për ndërmarrjen e reformës administrativo-territoriale, por ajo që përforcon paralajmërimin për mosdekretimin e këtij ligji është qendrimi i tij i shprehur në njoftim se “kryerja e saj duhet të bëhet në përputhje të plotë me interesat kombëtare, ato të qytetarëve dhe duhet të jetë një proces i mbështetur në Kushtetutën dhe ligjet e vendit”.

Duke e vleresuar se reforma ngarkon me përgjegjësi historike të gjithë ata që qëlluan të jenë aktorë vendimarrës, Presidenti njofton se ka marrë me dhjetëra letra, peticione nga qytetarët ku shprehen ankesat, kërkesat dhe referimet e tyre lidhur me procesin që i parapriu hartimit të ligjit.

Duke bërë këtë paraprirje, Presidenti thotë se i siguron të gjithë se institucioni që ai drejton do të shërbejë si një zë i fuqishëm për të përcjellë atë që quan, “interesat publike dhe problemet e qytetarëve, duke e mbyllur qëndrimin me nenvizimin e nevojës së krijimit të një imazhi të konsoliduar të shtetit shqiptar.

Kjo garanci e Presidentit, thotë njoftimi zyrtar, iu është qartësuar përfaqësuesve të komunave që janë kundër variantit të reformës së miratuar në Kuvend, duke parë si mundësi ligjore të kundërshtimit të saj jo vetëm Presidentin e Republikës. Në besimin e tyre, presidenti nuk do ta dekretojë këtë ligj, në të kundërt ata kanë paralajmëruar dërgimin e tij në Gjykatën Kushtetuese.

“Unë shpresoj në një vlerësim të drejtë të kësaj cështjeje nga ana e Presidentit, por akoma besoj që parlamenti do ta marrë me seriozitet, nëse ligji do të kthehet, që ta ryshqyrtojë, ta marrë në konsideratë opsionet e Shoqatës së Komunave dhe opsione të tjera. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Besoj që qoftë Gjykata Kushtetuese, qoftë dekreti i Presidentit i bëjnë mirë dhe e shëndoshin procesin për ndërtimin e një shtetit demokratik dhe ndërhyrja e institucioneve kushtetuese për të përmirësuar situatën është e rëndësishme dhe e domosdoshme”, thot, Agron Haxhimali, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Komunave.

Takimi konsultativ me Presidentin, sipas përfaqësuesit të Shoqatës së Komunave është thirrur pas një numri shumë të lartë ankesash të kryekomunarëve dhe Këshillave të Komunave, sipas tij edhe të majta.

Por në takim me kreun e shtetit konfirmohet se kanë qenë të pranishëm vetëm drejtuesit e zgjedhur nga e djathta. Ata thonë se ligji i ri është vetëm një bashkim mekanik i njësive, që nuk do të mundësojë shërbime më të mira për qytetarët.

Top Channel