Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Prishtinë ka nisur të mërkurën asgjesimi i rreth 1.8 milionë fletëvotimeve dhe materialeve të tjera, të përdorura në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi ka treguar se sipas legjislacionit zgjedhor, disa materiale të cilat ndodhen në procese hetimore në institucionet e drejtësisë nuk do të asgjësohen.

“Konform vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe detyrimeve ligjore ka filluar procesi i asgjesimit të materialit zgjedhor të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Nga ky asgjesim përjashtohet materiali zgjedhor që është pjesë e hetimeve të institucioneve përkatëse dhe ky material nuk do të asgjesohet derisa nuk konsiderohet i pavlefshëm”, ka deklaruar Elezi.

Materialet zgjedhore, që po asgjesohen nga një kompani e kontraktuar nga KQZ, nuk kanë prodhuar ende institucionet e reja, ndërsa Gjykata Kushtetuese pritet në ditët në vijim të nxjerrë vendimin që tregon për ligjshmërinë e seancës konstituitive të Kuvendit.

Ngërçi i krijuar politik pas zgjedhjeve të 8 qershorit mund të sjellë sërish zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe pse KQZ nuk i dëshiron.

“Natyrisht se KQZ është e detyruar që të organizojë zgjedhje kurdo që ato shpallen për t’i mbajtur. Organizimi edhe i një procesi tjetër zgjedhor brenda pak muajve është sfidues. Por KQZ mbetet e përkushtuar në kryerjen e detyrimeve ligjore e kushtetuese”, ka thënë Elezi.

Në rast të zgjedhjeve të reja, ato duhet të organizohen brenda 45 ditëve nga data e shpalljes, ndërsa qeveria duhet t’i ndajë KQZ-së një buxhet prej 6 milionë eurosh, aq sa kushtuan zgjedhjet e fundit.

Top Channel