Nga Klodian Muço – Një ndër kënaqësitë kryesore të individëve është edhe sporti, dikush e shijon duke e praktikuar, të tjerë duke e vëzhguar, në thelb të gjithëve na pëlqen sporti. Nëse do të pyesnim veten: cili është funksioni primar i sportit në shoqërinë bashkëkohore?
Funksioni i tij primar është zbulimi dhe vlerësimi i të gjitha aftësive pozitive të dukshme dhe të fshehura në trupin e njeriut. Sporti gjithashtu ka edhe një funksion tjetër jo të drejtpërdrejtë, por edhe më i rëndësishëm se funksioni i tij primar.
Ai krijon në mendjen e praktikuesit, kulturën e rivalitetit të ndershëm ndërsa në sportet që organizohen në ekipe, ai të mëson bashkëpunimin e sinqertë. “Sporti i vërtetë”, përjashton në mënyrë të qartë, mashtrimin, abuzimin me pushtetin dhe padrejtësitë.
Të gjithë sportistëve, si ata që garojnë vetëm, si ata që garojnë me anë të një skuadre u jepen në fillim të çdo gare të njëjtat shanse dhe mundësi për të fituar. Pra eventet sportive janë një kompleks veprimesh të rregulluara nga një ligj i vetëm: dhënia e mundësive të barabarta të çdo praktikuesi, në bazë të meritave që ka.
Sporti në bazë të principeve olimpike mund të shihet ndryshe edhe si një shkollë me transparencë dhe me vlera, të cilat siç do të shihet në vijimin e këtij shkrimi janë bazat e zhvillimit ekonomik dhe social të një vendi.
Nëse do vëmë re situatën aktuale në Shqipëri do konstatonim se vendi ynë ka 3 probleme kryesore, të cilat nëse do përdorin parimet e sportit mund të zgjidheshin relativisht shumë thjeshtë.
Problemi i parë është arsimi, ku rregullat e sportit deri para pak kohësh nuk funksiononin fare. Në disa prej universiteteve të mbyllura mjaftonte që të paguaje dhe ti mund të mbaroje disa mastera njëkohësisht. Notat “bliheshin” dhe aftësia në disa prej këtyre universiteteve matej vetëm me dëshirën për të paguar. Të gjithë e dimë shumë mirë se një pjesë e tyre ishin kthyer në “fabrika diplomash”.
Pra, arsimi shqiptar po degradohej dita-ditës dhe pedagogjia kishte prekur minimunin historik të saj. “Blerja” e notave dhe e diplomave i mësonte këta të diplomuar se çdo gjë ka një çmim. Siç blihet diploma mund të blihet edhe vendi i punës, shoqëria apo miqësia. Falë këtyre mendimeve, arsimi hyri në një vorbull degradimi me pasoja serioze për të ardhmen në tërësi dhe zhvillimin ekonomik të vendit në veçanti.
Mbyllja e këtyre universiteteve s’do të thotë aspak mbyllje e portave për të varfrit, pasi shumica e tyre kishin taksa vjetore nga 1000 euro e lartë, ndërkohë që në universitetet shtetërore taksat vjetore kushtonin rreth 30 000 lekë. Mbyllja e tyre do të thotë rregull, do të thotë që të arrish shkollën duhet të punosh, pa derdhur djersë nuk ka të ardhme. Për këtë arsye qeveria duhet përgëzuar, pasi është një hap shumë pozitiv për të ardhmen si nga pikëpamja ekonomike po ashtu edhe ajo sociale.
Problemi i dytë është pabarazia në institucione, të cilat janë ndër faktorët primarë të zhvillimit ekonomik të një vendi. Kjo gjë u vu re edhe ditët e fundit ku në çdo media vizive apo të shkruar, u fol për vjedhjen në Bankën e Shqipërisë.
Përderisa është një temë e ezauruar tashmë, nuk po analizoj rrethanat e ndodhisë së këtij fenomeni. Ajo çfarë më shkaktoi pështjellim nga kjo histori ishte trajtimi i saj mbas kërkesës për shkarkim të guvernatorit nga ana e këshillit mbikëqyrës pas kërkesës së zj Meksi. Edhe pse kjo anëtare ishte e vetmja që tregoi korrektësinë e plotë në funksionin që ajo mban, u trajtua njësoj nga ata pak politikanë që folën.
Natyrshëm lind pyetja: si ka mundësi që edhe ndonjë politikan i majtë, i cili pasi ia ngriti vlerat lart anëtares në fjalë, i kërkoi dorëheqjen më vonë?! Ndërsa dikush tjetër në vend që të ndihej krenar për këtë anëtare që është e propozuar nga partia e tij politike e trajton njësoj me anëtarët e tjerë, të cilët votuan një zëri kundër këtij shkarkimi?! Këta të fundit mendojnë vërtet kështu apo është një urdhër politik nuk më bën asnjë përshtypje.
Pak më lart thamë se në sport të gjithë trajtohen në mënyrë të barabartë në bazë të meritave që mbart secili, por në fund kurorëzohet më i miri. Ndërkohë, nëse opinioni i gjerë mbështet me entuziazëm qëndrimin e zj.Meksi, nga ana e eksponentëve të së majtës vërehet një lloj indiference, ose më saktë vihet re një lloj tendence për ndëshkim kolektiv, duke i trajtuar të gjithë njëlloj e duke hequr komplet vëmendjen nga përgjegjësi kryesor.
Duke të krijuar kështu përshtypjen se dy partive në fjalë nuk u ka pëlqyer aspak roli dinjitoz i zj Meksi. Ku njëra doli hapur në mbrojtje të guvernatorit, ndërsa tjetra s’ka folur fare! Apo kjo është një sakrifikim i kësaj partisë në fjalë për ta pasur si alibi ndaj sulmit opozitar se duan të pushtojnë institucionet? Nëse kjo është e vërtetë, atëherë do ishte shumë zhgënjyese për mbështetësit e kësaj partie.
Nëse do ndjekim parimet e sportit ai përjashton në mënyrë të qartë padrejtësitë dhe abuzimet, ai promovon më të mirin. Në këtë situatë a s’do ishte më mirë që në shtator me nisjen e seksionit të ri parlamentar, zj. Meksi të bashkërendojë me Parlamentin, i cili duhet të vlerësojë ekspertizën e saj për “shërimin” e kësaj situate.
Këto pyetje, nuk janë thjesht vetëm të miat, por pyetje të bëra nga një numër i madh i elitës shqiptare të arsimuar jashtë vendit, të cilët po i dedikojnë një rëndësi të veçantë zhvillimeve lidhur me këtë ngjarje nëpërmjet rrjeteve sociale.
Problemi i tretë i vendit tonë është mosndëshkimi, i cili sjell pabarazi dhe moszhvillim. Zvicra edhe pse është një ndër vendet më të varfra nga pikëpamja e pasurive natyrore është vendi më i pasur në Europë për nivelin e të ardhurave. Kjo falë rregullave rigoroze dhe ndëshkimit.
Nëse dikush në rrugë nuk respekton distancën e sigurisë me makinë, dënohet deri në 1000 franga ose rreth 1/10 e një rroge mesatare mujore. I njëjti ndëshkim të pret edhe po të tejkalosh shpejtësinë. Njerëzit, duke e ditur se nëse gabon e vetmja rrugë është pagesa e gjobës atëherë bëjnë kujdes.
Shteti të jep ndihmë sociale edhe nëse ti je emigrant por, po shfrytëzove shtetin padrejtësisht të heqin të drejtën e qëndrimit, kështu që asnjë njeri nuk guxon të përfitojë nga “zemërgjerësia” e shtetit. Pra Zvicra funksionon si një orë Rolex, pasi dënimet janë shumë të rrepta. Duke ditur se të gjithë kanë frikë nga gabimi asnjë nuk preferon të gabojë.
Ndërsa në vendin tonë kush vret, konsiderohet i fortë dhe jo kriminel, kush vjedh shuma të mëdha parash nga arkat e shtetit konsiderohet si një abuzues i pushtetit apo si i korruptuar po në asnjë mënyrë nuk konsiderohet hajdut, kush mundohet të vendosë pak drejtësi, nuk promovohet po i thonë ik se je shumë e drejtë dhe me integritet për të qëndruar në atë tavolinë.
Nëse do e krahasonim me sportin do tregonim se kush shkel rregullat e lojës ai dënohet dhe përjashtohet si sportist. Nëse dikush gabon duhet që të dënohet rreptësishtë, pasi është frika nga ky dënim që të parandalon të mos bësh korrupsion; që të nxit të punosh me rigorozitet, për të kërkuar gjithmonë e më tepër përsosmërinë.
Pra, për të konkluduar mund të themi se për të pasur zhvillim ekonomik të qëndrueshëm duhet që në vendin tonë të aplikohen rregullat e sportit: transparencë në maksimum, barazi për të gjithë, promovimi i aftësive apo meritave dhe ndëshkim për lajkatarët apo për të gjithë ata që devijojnë rregullat e lojës.
Pra, në realitetin tonë kush shpërdoron detyrën apo vjedh shtetin ai jo vetëm që duhet të ikë nga puna, por duhet t’i kthejë shtetit të gjithë dëmin e shkaktuar së bashku me interesat; kush kërkon që të vendoset integriteti në vend duhet parë si hero, si shembull për t’u marrë nga të gjithë dhe duhet promovuar. Ideja është se të gjithë duhet ta kenë të qartë në mendje: se kush kërkon përsosmërinë dhe kush punon më devotshmëri herët apo vonë do të shpërblehet, ndërsa kush gabon do të ndëshkohet.
Falë këtyre rregullave, politikanët do kërkonin të jepnin maksimumin e tyre, pasi është e vetmja rrugë për të marrë votat e zonës gri ndërsa studentët do mësonin më tepër dhe do jepnin maksimumin e tyre nëse aspirojnë të ngjitin shkallët e karrierës. Falë këtyre rregullave do të kishim më tepër mirëqenie dhe zhvillim, do të kishim një vend më të lirë për të gjithë dhe një vend të mrekullueshëm për të jetuar në harmoni.
Top Channel