“Jo qeverisjes gjithëpërfshirëse”

18/08/2014 00:00

Kur kanë mbetur vetëm tre ditë nga mbajtja e seancës dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese, koalicioni paszgjedhor i përbërë nga LDK, AAK dhe Nisma refuzon idenë e Partisë Demokratike për krijimin e një qeverie gjithpërfshirëse.

Sipas kreut të subjektit Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, Kosova do ta ketë qeverinë me përbërje të gjërë por pjesë e saj nuk do të jetë PDK-ja e Thaçit. Këto komente ai i bëri pas takimit me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Blloku vendosi që në seancën dëgjimore të përfaqësohen nga deputetja e LDK-së Vjosa Osmani, ndërsa pritjet janë që seanca e Kuvendit të mbahet javën e ardhshme.

“Në asnjë variant, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk do të ketë qeveri gjithëpërfshirëse siç po pretendohet. Qeveri gjithëpërfshirëse po, por pa PDK-në”, deklaroi Limaj.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pranoi se bisedimet për bashkëpunim me lëvizjen Vetëvendosje kanë ngecur. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, ai bëri të ditur se Lista Srpska nuk ka vënë kushte për bashkëqeverisje. Sipas Haradinajt, qeveria e tij nuk do të ndikohet nga disponimi i Beogradit zyrtar.

“Me Vetëvendosjen ka pasur një ngecje në komunikim gjatë këtyre ditëve, por mund të ndodhë që ky komunikim të ripërtërihet meqë po vijnë periudha më intensive. Ndërsa me Listën Serbe kemi pasur një komunikim të mirë dhe mund të them se deri tani nga ajo nuk ka pasur kushte. Ajo që kemi konstatuar është se ka një interes të tyre për të marrë pjesë në jetën qeverisëse të Kosovës”, tha Haradinaj.

Ndërsa kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e vuri theksin tek rëndësia e krijimit të institucioneve në afat sa më të shpejtë kohor. “Biseduam në lidhje me përgatitjet tona për seancën dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese, e cila mbahet këtë javë. Po ashtu, biseduam lidhur me përgatitjet për mbajtjen e seancës së Kuvendit dhe konstituimit të qeverisë së Kosovës menjëherë pas vendimit të gjykatës”, deklaroi Mustafa.

Seanca dëgjimore e Gjykatës Kushtetuese, në të cilën do të ballafaqohen argumentet e Partisë Demokratike të Kosovës në njërën anë dhe bllokut LDK-AAK-Nisma në anën tjetër, mbahet më datë 21 gusht. Palët e interesit, në këtë rast subjektet politike, kanë nga dhjetë minuta kohë për t’i shfaqur faktet rreth seancës konstituitive të Kuvendit të Kosovës.

Në këtë rast, blloku opozitar do të përfaqësohet si grup parlamentar duke shfrytëzuar jo më shumë se 10 minuta. Lëvizja Vetëvendosje dhe subjektetet e tjera kanë të drejtë të shfrytëzojnë dhjetë minutëshin e ndarë ose thjesht të pajtohen me argumentet e njërës apo tjetrës palë.

Top Channel