Departamenti i Administratës Publike ka bërë me dije numrin e vendeve të lira të punës në Administratën Shtetërore, proces i cili ishte pezulluar deri në plotësimin e ligjit të ri për nëpunësin civil me aktet e duhura nënligjore. Efektet e ligjit të ri filluan më 26 Shkurt 2014.

“Deri më sot janë shpallur 113 vende të lira pune nga 257 pozicione të lira në nivel specialisti, në të gjithë Administratën Shtetërore. Bëhet fjalë për një numër të gjerë institucionesh, jo vetëm për Ministri, por edhe institucione të varësisë. Është hera e parë që në Administratën Shtetërore nuk kemi më konkurse për pozicion pune, por kemi konkurse për një grup pozicionesh, që do të thotë konkurse masive për të grupuara për pozicione të ngjashme. Fituesve të këtyre konkurseve u jepet mundësia të zgjedhin se ku duan të punojnë e jo siç ka qenë praktikë e mëparshme, ku titullarët e zgjidhnin nga lista e fituesve”, u shpreh drejtorja e DAP, Albana Koçiu.

Të interesuarit do të duhet të aplikojnë në faqen online të Departamentit të Administratës Publike. Në fazën e parë bëhet verifikimi i dokumentacionit dhe kritereve të përgjitshme, ndërsa në fazën e dytë kandidati vlerësohet nëpërmjet testimit me shkrim dhe me gojë nga komiteti përzgjedhës, i përbërë nga ekspertë, përfaqësues institucionesh dhe nga DAP.

“Çdo punonjës që nuk përmbush kriteret e veçanta të vendit të punës, të kërkuara këto jo vetëm në legjislacionin e shërbimit civil, por edhe në legjislacionet e posaçme me të cilat veprojnë institucionet, nuk do të përfitojë statusin e nëpunësit civil. Për punonjësit, të cilët kanë nivelin bazë të edukimit në përputhje me legjislacionin, por nuk kanë nivelin e duhur të diplomës, pra nivelin e masterit profesional apo masterit shkencor, u është dhënë një periudhë dyvjeçare kohë në dispozicion, për ta përmbushur këtë lloj niveli diplome. Të gjithë të tjerët, që nuk plotësojnë nivelin bazë të edukimit, apo kriteret e veçanta kualifikuese që kërkohen nga vendi i punës, mbështetur në legjislacionin e institucioneve, nuk e përfitojnë statusin e nëpunësit civil”, u shpreh më tej Albana Koçiu.

Departamenti i Administratës Publike ka verifikuar çdo dosje të punonjësve, që gjeti në vendin e punës me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për nëpunësin civil, në lidhje me përputhshmërinë me vendin e punës.

Departamenti i Administratës shtetërore ka hartuar 4 udhëzime, që lidhen me detajimin e procedurave për masat disiplinore, për transferimin e punonjësve në rast ristrukturimi, për hartimin e përshkrimeve të vendit të punës dhe për procesin e rekrutimit në shërbimin civil.

Top Channel