Kurdët marrin digën e Mosulit

17/08/2014 00:00

Zyrtarët kurdë njoftuan se kanë thuajse nën kontroll të plotë digën e madhe të qytetit të Mosulit e cila furnizon me ujë dhe elektricitet pjesën më të madhe të Irakut të Veriut.

Ofensiva kurde kundër militantëve ekstremistë të ISIS nisi ditën e shtunë dhe përparimi tokësor i trupave u ndihmua nga bombardimet ajrore amerikane kundër fortesave të ISIS.

Diga e Mosulit konsiderohej si një pikë strategjike për kontrollin e zonave veriore të Irakut dhe ishte marrë nën kontroll nga ISIS më 7 gusht.

Shtetet e Bashkuara njoftuan se kishin shkatërruar me sulme ajrore një karvan me 19 automjete të ISIS si dhe një postobllok që kontrollonte njërën nga rrugët hyrëse për në digë.

Ish-ministri i Jashtëm Irakian, Hoshyar Zebari, njëkohësisht përfaqësues i komunitetit kurd tha për BBC se trupat kurde, të njohura si Peshmerga kishin hasur në rezistencë të fortë nga militantët e ISIS.

“Nuk kemi të bëjmë me një tufë xhihadistësh amatorë”, tha ai duke shtuar se objektivi i radhës është pastrimi nga ekstremistët i fushës Nineveh për të mundësuar rikthimin e minoriteteve që janë larguar nga frika e ISIS.

Ndihmuar edhe nga trazirat politike në Irak dhe dështimi i palëve për t’u bashkuar në një front kundër ekstremistëve, ISIS vuri nën kontroll mijëra kilometra/katrorë në Irakun e veriut dhe atë të perëndimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA