SHBA, vrasja e adoleshentit, thirrje për qetësi 

16/08/2014 00:00

Familja e adoleshentit me ngjyrë të vrarë pak ditë më parë nga policia në Ferguson, Misuri, ka bërë thirrje për qetësi, pasi policia zbuloi fakte se ai ishte i dyshuari kryesorë për një grabitje.

Videoja e publikuar në televizionet amerikane tregon 18-vjeçarin, Michael Brown, i cili grabit një dyqan duke kërcënuar pronarin e tij.

Familjarët e Michael nuk e kanë mohuar faktin se ai mund të ishte autor i grabitjes, por kritikuan policinë për përpjekjet e saj për të ‘justifikuar ekzekutimin e tij’. Vrasja u shoqërua me protesta, të cilat degjeneruan në përleshje me forcat e policisë.

“Nuk duam të krijojmë dhunë në rrugë. Ju lutemi të protestoni në mënyrë paqësore”, tha një i afërm i adoleshentit të vrarë.

Shefi i Policisë së Ferguson, Thomas Jackson tha se oficeri, i cili qëlloi Brown, nuk e dinte se ai dyshohej për vjedhjen e një dyqani aty pranë. “Kontakti i parë mes oficerit dhe Michael Brown nuk kishte lidhje me grabitjen”, tha ai. Arsyeja se pse ai tentoi ta ndalojë adoleshentin ishte sepse ‘ai ishte duke ecur përgjatë rrugës duke krijuar probleme në trafik’.

Jackson tha se i kishte lejuar publikimin e pamjeve pasi ishte i detyruar ta bëjë këtë për shkak të lirisë së informacionit. Ai tha se adoleshenti nuk kishte përdorur armë gjatë grabitjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB