Krerët e komuniteteve fetare të Kosovës dënojnë fuqishëm përdorimin e emrit të Perëndisë për të kryer vepra penale kundër njerëzimit.

Ky është mesazhi që doli pas një takimi të myftiut kosovar Naim Tërnava, peshkopit Teodosje dhe peshkopit Georgi me komandantin e KFOR-it, gjeneral major Salvatore Farina.

Takimi është zhvilluar në kampin e KFOR-it në Prishtinë, “Film City” dhe siç thuhet në një komunikatë të KFOR-it, krerët e komuniteteve fetare kanë dënuar çdo vepër penale që kryhet në emër të Zotit.

“Fetë kurrë nuk duhet të justifikojnë urrejtjen dhe dhunën, Perëndia është paqja. Pas debatit të ditëve të fundit rreth ekstremizmit dhe radikalizmit fetar, ne duam të theksojmë se prania e shumë komuniteteve fetare në rajon është një burim për shoqërinë tonë. Bashkësitë fetare janë miq të arsimimit shpirtëror që mësojnë të jetohet në paqe dhe në respektimin e dallimeve. U bëjmë thirrje të gjithë besimtarëve tanë që të distancohen nga çdo formë e ekstremizmit ose dhunës për të mbështetur paqen për një të ardhme më të mirë për familjet tona dhe fëmijët tanë”, thuhet në komunikatën e KFOR.

Top Channel