Britani, 35 klandestinë në një konteiner

16/08/2014 00:00

Të paktën 35 persona, mes të cilëve gra dhe fëmijë, janë gjetur në një konteiner të transportuar në rrugë detare për në portin e Tilburit të Britanisë së Madhe.

Një nga personat në fjalë ka ndërruar jetë, ndërsa të tjerët raportohet se janë dërguar pa humbur kohë nga policia dhe ambulancat në spitalet më të afërta.

Klandestinët dyshohet se vinin nga nënkontinenti Indian dhe u zbuluan pasi një anije mallrash nga Belgjika, e mbërritur në lokalitetin britanik, nisi të shkarkohej.

Policia e Eseksit ka nisur një hetim të gjerë dhe oficerë të shumtë të saj po asistohen nga homologët e tyre belgë. Oficeri Trevor Roe, i cituar nga BBC, deklaroi se stafi që po shkarkonte ngarkesat e zbuloi praninë e klandestinëve nga thirrjet e tyre nga brenda konteinerit.

Zyrtari tha se rreth 50 konteinerë të tjerë në anije janë kontrolluar, por në to nuk janë gjetur njerëz të tjerë. Në një konferencë për shtyp, oficeri Roe saktësoi se të mbijetuarit po mbahen të ndaluar në bazë të kompetencave të emigracionit dhe do të dërgohen në një qendër pritëse në afërsi të Tilburit.

Ai shtoi se hetimi policor do të fokusohet për të identifikuar bandat apo këdo që mund të jetë përfshirë në këtë rrjet për dërgimin ilegal të njerëzve në vendin e tij.

Ndërsa policia belge deklaroi se druhet se kamioni me të cilin janë transportuar fillimisht klandestinët, në lokalitetin Zebryzh, është identifikuar përmes kamerave të sigurisë.

Megjithatë, autoritetet belge nuk ishin në gjendje të saktësonin se nga vinin klandestinët, të cilët do të merren në pyetje në Britani me ndihmën e përkthyesve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA