Papa: Të refuzojmë ekonomitë çnjerëzore

15/08/2014 00:00

Papa Françesku ka mbërritur në qytetin korean Daejeon, pas një udhëtimi me tren dhe jo me helikopter siç ishte parashikuar, në një vagon të rezervuar atij dhe stafit të tij.

Në meshën e celebruar në këtë qytet, ati i shenjtë ka dhënë një mesazh të fortë për ekonominë dhe njerëzimin.

“Të refuzojmë modelet ekonomike çnjerëzore që krijojnë forma të reja varfërie dhe margjinalizojnë punëtorët. Të refuzojmë kulturën e vdekjes që zhvlerëson imazhin e Zotit, Zotit të jetës, dhe shkel dinjitetin e çdo njeriu, gruaje dhe fëmijë”, ka thënë Papa.

Më pas, duke folur me të rinjtë aziatikë në Daejeon, ati i shenjtë ka ftuar të gjithë të luten së bashku dhe në heshtje për unifikimin e dy Koreve.

“Pse, ka dy Kore? Jo, është vetëm një, por e ndarë. Familja është e ndarë dhe kjo është një dhimbje”, është shprehur Papa Françesku.

Për këtë arsye ai u ka këshilluar të rinjve lutjen, duke u sugjeruar shpresën dhe rekomanduar që të flasin të njëjtën gjuhë. “Korea është një, është një familje. Ju jeni vëllezër që flisni të njëjtën gjuhë”, ka thënë Papa.

Në këtë takim nuk kanë munguar edhe batutat, kur Papa ka folur anglisht dhe më pas ka pranuar se njohuritë e tij për këtë gjuhë janë të varfëra.

“Anglishtja ime është e varfër, por nuk mund t’ju flisja me një letër përpara”, ka thënë ai. “Nuk është e vërtetë”, janë përgjigjur të rinjtë, të cilët e kanë duartrokitur me dashamirësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB