Asgjesimi i drogës nëpër male

15/08/2014 00:00

Mbjellja e drogës në fshatrat e Malësisë së Krujës nuk ishte një surprizë për policinë. Gjatë një operacioni të nisur më herët, helikopterët e forcave speciale kishin konstatuar parcela të vogla e të pakapshme për syrin të mbjella në mes të pyjeve e larg qendrave të banuara.

Në këtë terren të vështirë forcat e policisë të ndara në grupe të vogla kontrollojnë male të tëra në fshatrat Çudhi Kamp, Bruz Zall, Shqezë e Marsheq. Ashtu si edhe në pyjet e këtyre fshatrave edhe në fshatin Kurçaj në mes të pyllit dikush ka hapur një parcelë të vogël e ka mbjellë aty kanabis sativa.

Asgjësimi i bimëve kryhen në vend me djegje, pasi një ekspert i kriminalistikës kërkon të zbulojë gjurmë në objekte të rastësishme që gjenden përreth për të shkuar tek personi që ka hapur tokën dhe ka mbjellë kanabisin.

Për shefin e Krimeve të Krujës Elton Zemani kultivimi i drogës në toka pa pronarë është metoda më e përdorur nga autorët.

“Kemi kontrolluar disa fshatra dhe kemi asgjësuar rreth 20 e ca parcela me bimë narkotike dhe në vijim do vazhdojmë prap me kontrollin. Na kanë mbetur fshatrat e Komunës Nikël”, thotë ai.

Malësia e Krujës hyri në hartën kultivimit të drogës pesë vjet më parë, e megjithë fushatat ndërgjegjësuese dhe operacionet e herë pas herëshme, duket se edhe autorët gjejnë metoda të reja për të kultivuar kanabis sativa.

Top Channel