Zgjatet armëpushimi në Gaza

14/08/2014 00:00

Armëpushimit prej 72-orësh, mes Izraelit dhe Hamasit, iu shtuan dhe dy ditë të tjera, si pjesë e paktit të paqes. Por, sipas të dhënave të fundit, armëpushimi i ri ka nisur që në fillim me trazira, pasi të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën se kanë bërë sulme me raketa.

Sipas Izraelit, Hamasi e shkeli marrëveshjen për shkak të zjarrit që hapi dhe Izraeli nuk mund të rrinte pa reaguar, ndaj dhe ai kreu sulme nga ajri në përgjigje të palestinezëve.

Edhe pse nuk ka pasur raportime për njerëz të lënduar në Rripin e Gazës, shpërthimi “padashur” i një rakete, teksa po çmontohej gjatë ditës së mërkurë, ku 6 vetë humbën jetën, ka ngjallur frikë te banorët e zonës, sepse një incident i tillë mund të përsëritet.

Megjithatë, të dyja palët vazhdojnë bisedime indirekte në Kajro, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje më afatgjatë. Burime thonë se zgjatja e paktit të armëpushimit do të krijojë një urë lidhëse për negociata të mëtejshme.

Zyrtarë nga autoriteti i Hamasit, si edhe nga Izraeli, i kanë komunikuar kërkesat e tyre përmes ndërmjetësve egjiptianë në Kajro. Por, ndërmjetësuesit egjiptianë kanë propozuar se kërkesat e tyre të shtyhen. Kërkesat, që janë pak të vëshira për t’u arritur, përfshijnë të tilla si hapja e një porti në Gaza dhe kthimin e eshtrave të dy ushtarëve të vdekur izraelitë.

Rreth 2,000 njerëz kanë vdekur, që kur filluan luftimet në Gaza më 8 Korrik. Mes të vrarëve janë më shumë se 1.900 palestinezë, kryesisht civilë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA