Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të filluar më pas angazhimin për formimin e një koalicioni gjithëpërfshirës.

Në një intervistë për radion “Deutsche Welle”, Thaçi ka thënë se, askush nuk do të mund t’ia grabisë legjitimitetin qytetarit të Kosovës. Ai ka deklaruar se formula më e mirë e qeverisjes është respektimi i përcaktimit të qytetarëve për fitoren e PDK-së për të krijuar një koalicion me partnerët e saj.

“Aktualisht jemi duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pastaj do të fillojmë angazhimet për një koalicion me bazë të gjerë dhe gjithëpërfshirës. Pra, për një bazë sa më të gjerë të subjekteve shqiptare dhe përfshirje gjithëtnike. Formula më e mirë e qeverisjes është respektimi i përcaktimit të qytetarëve për fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës dhe për krijimin prej saj të një koalicioni me partnerë. Pra, duhet krijuar një qeverisje me bazë të fuqishme të legjitimitetit dhe legalitetit”, ka thënë Thaçi.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë në detyrë ka theksuar se në Kosovë nuk do të ketë vend për ekstremizëm, radikalizëm dhe terrorizëm, ndërsa ka vënë në dukje se arrestimet e fundit janë të bazuara në dëshmi dhe fakte se ata persona kanë qenë të përfshirë në aktivitete të dyshimta.

“Duhet të vazhdojë beteja kundër ekstremizmit, beteja për rendin dhe ligjin, beteja kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe për implemenim të plotë të ‘Misionit të Ri’”, ka thënë Thaçi, duke iu referuar programit të prezantuar nga partia e tij në zgjedhjet e 8 qershorit.

I pyetur nëse do të jenë të gatshëm të kalojnë në opozitë në qoftë se nuk e sigurojnë shumicën e duhur për krijimin e koalicionit qeverisës, Thaçi ka thënë se PDK-ja do të vazhdojë kontratën me qytetarët, falë besimit të fituar nga qytetarët për ndërtimin e institucioneve dhe mekanizmave politikë. “Institucionet nuk do të ndërtohen mbi mllefe, por duke respektuar në plotësi legjitimitetin qytetar”, ka shtuar Thaçi.

Top Channel