“Putin nxit eksodin e parasë dhe trurit”

14/08/2014 00:00

Përplasja më e ashpër e Kremlinit me Perëndimin, që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, ka përshpejtuar rrjedhjen e dy prej aseteve më të çmuara të Rusisë: parave dhe trurit (intelektualëve).

Aneksimi i Krimesë nga ana e Vladimir Putin dhe mbështetja për rebelët e akuzuar për rrëzimin e një avioni pasagjerësh mbi Ukrainë, e më pas pengimin e rikuperimit të trupave të 298 viktimave, kanë shkelmuar shpresat e Perëndimit për një aleancë të qëndrueshme me Moskën.

Të sanksionuar prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, oborrtarët e Putinit janë në prag shkarkimi, ekonomia ruse prej 2 trilionë dollarësh po kërcënohet nga izolimi, ndërsa miliona ruse anembanë botës pyesin se çfarë mund të ndodhë më tej.

Rusia ende po fiton të ardhura shumë të nevojshme nga tubacionet e transportit të naftës dhe të gazit natyror drejt Perëndimit, por për fatin e keq të Kremlinit, kapitali dhe talenti po rrjedhin në të njëjtin drejtim.

Ministria ruse e Ekonomisë parashikon rreth 100 miliardë dollarë rrjedhje kapitali për këtë vit, shumë më tepër nga vlera prej 61 miliardë gjatë vitit 2013, por ende konsiderohet optimiste. Në fakt, disa të tjerë thonë se kjo shifër është tejkaluar tashmë.

“Një vlerë mes 100 mld dollarë dhe 200 mld dollarë është larguar tashmë nga kapitali rus”, tha Presidenti amerikan Barack Obama, më 6 Gusht. Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, tha gjatë Majit se kriza ka detyruar “rrjedhje domethënëse jashtë Rusisë, që nga disa përllogariten në rreth 160 mld euro”.

Edhe ekonomistët nga “Higher School of Economics” e Moskës parashikojnë që rrjedhja e kapitalit mund të jetë në shifrat e 130-150 mld dollarëve këtë vit. Madje, do të përkeqësohet edhe më shumë, sipas një bankieri të lartë perëndimor.

“Rrjedhja e kapitalit do të përshpejtojë”, tha ai për Reuters në kushtet e anonimitetit. “Paratë e Rusisë do të shkojnë në Perëndim, në qendrat kryesore të Europës Perëndimore, si Londra, Vjena apo Berna”.

Top Channel