Përkundër presionit në rritje nga opinioni publik, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka refuzuar të shkarkojë guvernatorin Ardian Fullani, duke i dhënë atij mbështetje në postin si drejtues i bankës qëndrore.

Shkarkimi i guvernatorit është propozuar vetëm nga anëtarja Ermelinda Meksi, në minutat e fundit të mbledhjes së jashtëzakonshme të këshillit, që ka zgjatur për më shumë se 4 orë e gjysmë. Por ky propozim është hedhur poshtë nga 5 anëtarët e tjerë të këshillit, të cilët nuk kanë pranuar që çështja të kalojë për votim.

Zonja Meksi, e përfolur si një nga zërat më kritikë ndaj guvernatorit, pas skandalit të papreçedent të vjedhjes së thesarit, ishte e para që doli nga mbledhja.

“Rezultatin e mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës do ta gjeni më mirë në deklaratën finale. Shiheni atje përfundimin se atje është më e qartë, unë respektoj ligjin dhe etikën”, tha Meksi.

Më vonë kanë dalë anëtarët e tjerë, të njohur si mbështetësit e guvernatorit, të cilët gjithashtu kanë preferuar të mos bëjnë asnjë deklaratë në publik mbi debatet dhe çështjet e diskutuara në mbledhjen maratonë.

“Do keni deklaratën e bankës”, tha shkurt anëtari i këshillit, Dhori Kule. Në të njëjtën mënyrë u përgjigj edhe anëtari tjetër, Adrian Civici: “Për pak minuta do keni deklaratën për shtyp”, tha ai.

Në deklaratën për shtyp të publikuar pas mbledhjes, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se Banka e Shqipërisë ka reaguar menjëherë pas konstatimit të vjedhjes, duke kryer kallëzimin penal dhe duke vënë në dispozicion të prokurorise të gjithë dokumentacionin dhe provat.

Madje, edhe këtë herë këshilli ka përsëritur qëndrimin e mëparshëm, duke ia faturuar fajin disa ish-punonjësve në bankë, të cilët me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë bërë të mundur realizimin e vjedhjes.

Në deklaratën e gjatë listohen një sërë masash që janë ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë për të zbardhur vjedhjen dhe për të mos lejuar përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

Por si asnjëherë më parë, në një deklaratë të vetën zyrtare, Këshilli Mbikëyrës ka cekur edhe rolin e medias dhe atë të rrjeteve sociale. Anëtarët e tij konstatojnë se, në media apo në rrjetet sociale janë hedhur në publik edhe qëndrime të papërshtatshme apo të pavërteta, të cilat sipas tyre cënojnë kolonat institucionale mbi të cilat Banka e Shqipërisë kryen aktivitetin e saj.

Kjo është hera e dytë kur anëtarët e këshillit mblidhen në takim të posaçëm për të diskutuar përgjegjësitë mbi skandalin e papreçedent të vjedhjes së 7.1 milionë dollarëve nga punonjësit e vetë bankës.

Prej ditësh një pjesë e opinionit publik, disa zëra nga mazhoranca, madje oret e fundit edhe ndonjë zë nga opozita, po kërkojnë largimin e guvernatorit Fullani, si përgjegjësi kryesor për këtë skandal.

Por deri më tani duket se mazhoranca e zotit Fullani në Këshillin Mbikëqyrës është e padiskutueshme, pasi pjesa dërrmuese e anëtarëve janë të rreshtuar pro tij.

Braçe: Përballje me ligjin në Kuvend

Pas vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për të mos shkarkuar guvernatorin Fullani, ka reaguar ashpër deputeti socialist Erjon Braçe.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Braçe ka paralajmëruar dhe përballjen me ligjin në Kuvend.

“Bankën nuk e vodha unë, as shqiptarët e zakonshëm. Bankën e vodhën të emëruarit tuaj të favorizuar nga papërgjegjshmëria, mospërmbushja e detyrës nga të tjerë të emëruar po nga ju.

Në anën tjetër, si u tha sot? Kuvendi ka një rol ligjor në shqyrtimin e çështjes? Në Kuvend do të ndodhë! Bëhuni gati! Dhe mos harroni, do përballeni me ligjin në Kuvend! Jo me “grupet e punës” të mbushur me vartësit tuaj që paskan gjykuar në fund se guvernatori dhe Keshilli Mbikëqyrës nuk e ka shkelur ligjin”, thotë në reagimin e tij deputeti Braçe.

Top Channel