SHBA, 130 këshilltarë ushtarakë te kurdët

13/08/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një personel shtesë ushtarak me rreth 130 trupa në Irak, ka thënë Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel gjatë së martës.

Hagel tha se ushtarët kishin mbërritur përreth kryeqytetit të Kurdisatnit, Arbil. Sipas një zyrtari amerikan të mbrojtjes, ushtarët e dërguar në Irak do t’i vinë në ndihmë civilëve në nevojë përtej përpjekjeve humanitare të dërgimit të ndihmave nga ajri në mbështetje të civilëve të bllokuar në malin Sinjar si pasojë e kërcënimeve nga militantët e Shtetit islamik të Irakut dhe Levantit.
 
Ndërkohë, sulmet ajrore të SHBA-ve vazhduan edhe gjatë së martës, bëri të ditur Pentagoni, duke theksuar se një avion i telekomanduar shënjestroi një bazë mortajash të IS pranë trupave kurde. SHBA-të kanë konfirmuar gjithashtu edhe nisjen e furnizimeve me armatime të forcave kurde, që njihen si Peshmerga, e që po luftojnë kundër IS në veri.

OKB ka vijuar me paralajmërimet se rreth 1,2 milionë vetë janë zhvendosur brenda kufirit iraken. Një punonjës i OKB-së në Irbil tha për BBC se shumë irakenë të etnisë Yazidis janë arratisur nga pjesa veriore e malit gjatë 72 orëve të fundit dhe përmes lumit Tigër kanë kaluar në Siri, ku do të merrnin ndihma.

Por, një punonjës shpëtimi i këtij komuniteti, i cili ndodhej në bordin e një helikopteri të Forcave Ajrore irakene që po evakuonte refugjatët e bllokuar, e përshkroi situatën si një “genocid”, nga i cili po shkaktohen me qindra viktima.

Top Channel