Rrëzohet avioni, humb jetën kandidati presidencial

13/08/2014 00:00

Kandidati brazilian për President, Eduardo Campos, ka ndërruar jetë në moshën 49-vjeçare pas një aksidenti ajror që u shoqërua me rrëzimin e avionit me të cilin udhëtonte. Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë lokalë dhe nga anëtarë të partisë.

Zv/presidenti i Brazilit, Michel Temer, shprehu keqardhjen e tij për vdekjen e Camps, i cili renditej i treti sipas një sondazhi përpara zgjedhjeve që do të mbahen në muajin Tetor.

Avioni që transportonte Camposin u rrëzua në një zonë rezidenciale në qytetin port të Santosit, në shtetin brazilian të Sao Paulos. Ende nuk është e qartë se sa janë viktimat e tjerë mes pasagjerëve në bord.

Temer tha se “nuk kishte fjalë për ta përshkruar tragjedinë që ka goditur politikën braziliane sot”.

“Eduardo Campos ishte një politikan me parime dhe vlera, të mësuara prej familjes së tij, e që i kishte mbartur me dinjitet e nder përgjatë karrierës së tij në Parlament dhe në poste ekzekutive”, shkruhej në deklaratën e tij.

Familja e Camposit ka kundërshtuar fuqishëm regjimin ushtarak të Brazilit gjatë viteve 1964-1985.

Presidentja braziliane Dilma Rousseff ka anuluar të gjitha aktivitetet e fushatës presidenciale për 3 ditë, siç njofton partia e saj.

Avioni i Camposit po fluturonte nga Aeroporti “Santos Dumont” i Rio de Janeiros, drejt Aeroportit “Guaruja” jashtë Sao Paulos, kur u përplas për shkak të motit të keq, siç bën të ditur zëdhënsi i Autoritetit të Aviacionit Civil, Pedro Luis Farcic.

Burime lokale thonë se qielli ishte i vrenjtur dhe në momentin e rrëzimit po binte shi. Zjarrfikësit thanë se ishin 10 “viktima” në vendngjarje, por nuk saktësuan nëse ata ishin të vdekur apo të plagosur.

Top Channel