Me qëllimin për të luftuar tregun e zi dhe keqpërdorimin e ilaçeve, Agjencia e Kosovës për Produktet Medicinale ka publikuar regjistrin e barnave, regjistër ky i cili përmban 2500 barna të ndryshme me mbi 600 molekula. Ky regjistër përfshin të gjitha barnat, që ndodhen në farmacitë e Kosovës.

“Roli i këtij regjistri është shumë i madh. Me këtë rast ne kemi rritur edhe tirazhin, për shkak se në numrin e kaluar kanë qenë 1500 kopje dhe këtë e kemi botuar me 2000 kopje, të cilat do të ndahen falas në qendrat e mjekësisë familjare dhe nëpër farmacitë e Kosovës. Kjo është bërë me qëllim të përshkrimit të barnave, të cilat janë të regjistruara në Kosovë”, tha Arianit Jakupi, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë kosovare për Produktet Medicinale.

“Regjistri përmban disa të dhëna, duke filluar nga emri gjenerik i barit, nga grupi farmakoterapeutik, nga TC kodi dhe nga kategoria e përdorimit të barit në shtatëzani”, tha Rexhep Hoxha, profesor në Fakultetin e Mjekësisë.

“Përfshin të gjitha barnat me emër të mbrojtur dhe me emër gjenerik, të cilat i lejon Organizata Botërore e Shëndetësisë. Sistematizimi i librit është mjaft i qëlluar dhe është shumë praktik, gjë që në fakt mundëson që farmacisti, mjeku apo stomatologu, ta shfrytëzojnë më lehtë këtë libër”, tha Hilmi Islami, recensent i regjistrit.

Riregjistrimi i ilaçeve është i treti, i cili bëhet në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.

Top Channel