Përfaqësuesit e Shoqatës së përpunuesve të Qumështit, në Kosovë, kërcënojnë se nëse Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk reagon do të bllokojnë kufijtë. Ndërkohë, gjatë ditës së enjte, ata kanë paralajmëruar sërish protestë para ndërtesës së Qeverisë.

Pakënaqësia e tyre është shtuar, pasi edhe Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit nuk po ndërmerr asnjë masë, ndërkohë theksojnë se në Kosovë po vazhdohet të importohen produkte ilegalisht, të cilat kanë përmbajtje dhe yndyrë bimore, të cilat sipas rregullores për importin e produkteve nuk lejohen të hyjnë në vend.

Ndërkohë, nga dita e parë kur u ndërpre grumbullimi i qumështin, kanë mbetur 400 ton qumësht të pa grumbulluar dhe kryesisht të gjitha janë derdhur nga prodhuesit vendas.

“Ne, nga hëna e kaluar, kemi filluar me grumbullimin e qumështit, nuk e kemi ndërprerë deri më sot. Por, nesër nuk do të ketë grumbullim të qumështit, për shkak se do të ketë një protestë masive para Qeverisë së Kosovës dhe, në qoftë se nuk ka një zgjidhje shumë të shpejt për këto probleme, për të cilat ne po protestojmë, atëherë përsëri do të ndërpresim grumbullimin e qumështit”, tha Ramadan Memaj, kryetar i Shoqatës së përpunuesve të Qumështit.

Z. Memaj thekson se gjendja në treg është po e njëjta, si nga hera e fundit e protestës së tyre, dhe se nuk ka asnjë përmirësim. As nga MTI-ja për tërheqjen e produkteve, të cilat janë futur ilegalisht në shtetin e Kosovës. Ai thotë se qumështi, që importohet nga Hungaria, është pije që deklarohet si pije qumështi, e cila ka përmbajtje përmeate dhe hirë.

“Këto produkte kanë vazhduar të hyjnë në Kosovë për një kohë shumë të gjatë, ilegalisht. Rregullorja e cila rregullon importin e produktit të qumështit me origjinë shtazore, është ajo për qumështin e lopës, deles, dhisë dhe buallicës, ndërsa kjo rregullore nuk parasheh asnjë lloj importi për produkte, të cilat kanë përmbajtje dhe yndyrë bimore. Do kishte qenë mirë që, ndoshta në të ardhmen, edhe ju si media t’i adresoheshit Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit dhe t’i pyesni se në bazë të cilave ligje dhe rregullore është lejuar importi i produkteve të qumështit me yndyrë me përmbajtje bimore, deri më tani. Këto produkte që janë në tregun e Kosovës e dëmtojnë ekonominë e Kosovës dhe mashtrojnë konsumatorët”, shtoi më tej Ramadan Memaj.

Sipas tij, MTI dhe AVUK, në vend që t’i konfiskojnë dhe të bëjnë asgjesimin e këtyre produkteve, ata po bëhen këshilltarë juridik dhe marketingu, duke i sugjeruar prodhuesve të këtyre produkteve t’u bëhet ndërrimi i etiketave të prodhimit dhe emri i tyre. Protesta e së enjtes është e treta me radhë, e cila organizohet me të njëjtat kërkesa.

Top Channel