OKB: Po dyfishohet numri i viktimave në Ukrainë

13/08/2014 00:00

Numri i përllogaritur i viktimave në konfliktin e Ukrainës thuajse është dyfishuar në të paktën 2086, nga të dhënat e datës 10 Gusht, nga 1129 që numëroheshin deri më 26 Korrik, njoftoi gjatë së mërkurës zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut.

“Kjo korrespondon me trendin e qartë të përshkallëzimit të situatës”, tha zëdhënësja e të drejtave të njeriut në OKB, Cecile Pouilly, për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Mesatarisht, më shumë se 60 persona në ditë janë vrarë ose plagosur, që kur luftimet nisën në mesin e muajit Prill në Lindje të Ukrainës, duke u rritur në të paktën 70 persona në ditë gjatë javës së parë të Gushtit, tha ajo.

Afro 5000 vetë janë plagosur deri në këtë datë. Shifrat mbi vdekjet përfshijnë edhe ushtarët ukrainas, grupet e armatosura, militantët pro-rusë dhe civilët, por janë “përllogaritje konservative”, tha Pouilly.

“Për shembull, vdekjet e civilëve ka të ngjarë të jenë raportuar më pak nga sa janë realisht, për shkak të pasigurisë së vazhdueshme që ndalon njerëzit e prekur të sigurojnë akses në ndihmat mjekësore, si dhe për shkak të dëmtimit të kanaleve të komunikimit”, shtoi ajo.

Nuk është e qartë nëse janë përfshirë edhe ushtarët rusë në këtë përllogaritje të OKB-së, e cila bazohet në informacionet e marra nga autoritetet ukrainase, ashtu si dhe prej zyrtarëve lokalë të mjekësisë. “Nuk kemi të dhëna të ndara sipas kombësisë, apo sipas statusit (civil apo ushtarak)”, shtoi ajo.

Ndërkohë, 12 luftëtarë nacionalistë ukrainas janë vrarë mëngjesin e së mërkurës, ndërsa një numër i pacaktuar janë marrë pengje, kur rebelët në Ukrainën lindore i zunë pritë autobusit të tyre, tha një zëdhënës i këtij grupi.

Separatistët hapën zjarr ndaj autobusit, i cili po dërgonte luftëtarët për të luftuar në periferitë e qytetit të Donjeckut, të kontrolluar nga rebelët, në fshatin Mandrykino, tha zëdhënësi i Sektorit të Djathtë të nacionalistëve ekstremistë që po mbështesin forcat qeveritare.
 
Ukraina akuzon Rusinë “cinike” për ndihmat humanitare

Ukraina denoncoi nisjen e autokolonës ruse me ndihma humanitare, e cila tashmë po i drejtohet kufirit lindor të Ukrainës, si një akt të cinizmit të pakufinjtë që i shërben separatistëve pro-rusë. Kievi tha se kamionët nuk do të lejohen të hyjnë në tokën ukrainase.

“Fillimisht ata dërguan tanke, më pas raketa ‘Grad’ dhe banditë, të cilët kanë hapur zjarr ndaj ukrainasve, e më pas kërkojnë të sjellin ujë dhe kripë”, tha kryeministri Arsenyi Yatsenyuk në një takim qeveritar gjatë së mërkurës.

Komentet reflektojnë dyshimet e Kievit dhe Perëndimit, se kalimi i autokolonës në tokën ukrainase mund të kthehet në një mbulim për veprime ushtarake për të ndihmuar separatistët pro-rusë, të cilët po humbasin gjithnjë e më shumë terren ndaj forcave qeveritare.

Top Channel