Në një postim në rrjetin social Facebook, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka akuzuar PDK-në se po bllokon qëllimisht punën e institucioneve të Kosovës.

“PDK dhe aleatët e saj po bëjnë propagandë pa kripë për bllokadën e institucioneve”, ka deklaruar Mustafa, i cili ka shtuar edhe disa pyetje:

“Unë i pyes: Kush e bllokoi seancën konstituitive të Kuvendit më datë 17 korrik? Kush i la peng për tre orë 83 deputetët në sallë? Kush ua pamundësoi deputetëve që kishin dhënë betimin të diskutonin e të shprehnin mendimet?

Kush abuzoi me rendin e ditës? Kush e dërgoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkoi masë të pezullimit për kryetarin e zgjedhur me pjesëmarrjen e 83 deputetëve, me 65 vota?

Dhe gjykata jo vetëm që pezulloi kryetarin, por shkoi edhe më tej dhe ndaloi punën e deputetëve që kanë marrë votën e popullit, ndërsa nuk pezulloi nënkryetarët e zgjedhur në të njëjtën procedurë?!

Kush i jepte udhëzime kryesueses së seancës se si të bllokonte Kuvendin, që shihet edhe në pamjet filmike?”, ka shprehur Mustafa indinjatën e tij.

Ai ka bërë përgjegjës njerëzit nga rendi i parë i PDK-së, të cilëve u ka drejtuar edhe një apel. “Prandaj, ju të PDK-së jeni ata që krijuat bllokadë dhe ju duhet të paguani dëmin që po i shkaktohet Kosovës nga kjo bllokadë. Shkruani sa të doni vet, apo porosisni të tjerët të shkruajnë për ju. Askush nuk ju beson. Bllokada dhe bllokuesit u panë qartë”, ka thënë Mustafa.

Top Channel