Kroacia refuzon referendumin për “ciriliket”

12/08/2014 00:00

Veteranët e luftës në Kroaci kanë humbur përballë kërkesës së tyre për të mbajtur një referendum, që do të forconte kufizimet e përdorimit të shenjave të gjuhës cirilike, në rrethinat kroate të populluara nga minoriteti serb.

Edhe pse referendumi i tyre do të zhvillohej në të gjithë vendin, grupi kishte kundërshtuar specifikisht përpjekjet e qeverisë së udhëhequr nga social-demokratët, për t’i lejuar shenja të tilla në Vukovar, aty ku tensionet ndëretnike vijojnë të jenë të gjalla, duke mbledhur më shumë se 500 mijë firma për të mbështetur votimin.

Parlamenti e çoi çështjen e mbajtjes së referendumit në Gjykatën Kushtetuese, e cila vendosi se diçka e tillë do të shkelte Kushtetutën e vendit. Aktualisht, gërmat cirilike, si ato të përdorura në Rusi, lejohen në zonat e Kroacisë ku serbët përbëjnë të paktën 1/3-tën e popullsisë, së bashku me shenjat latine të përdorura nga kroatët dhe nga shumica e Europës.

Referendumi i propozuar nga veteranët e luftës në Kroaci, gjatë viteve 1991-’95, të cilët janë organizuar në grupin “për mbrojtjen e Vukovarit kroat”, kërkonte ta rriste këtë proporcion në 50%, pra vetëm në ato zona ku serbët të përbënin 50% të popullsisë.

Rënia e Vukovarit më 18 Nëntor 1991 është kthyer në gurin e themelit të historisë së Kroacisë moderne, ndaj dhe veteranët kërkojnë status special për këtë qytet. Forcat ushtarake të Federatës Jugosllave dhe milicitë rajonale serbe, të cilat refuzuan pavarësinë e Kroacisë, pushtuan qytetin tregtar në brigjet e lumit Danub, pasi e kthyen fillimisht në rrënoja pas një ofensive brutale 3-mujorshe.

Top Channel