Të paktën 40 persona kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës mëngjesin e së hënës nën dyshimin se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak përkrah organizatave të shpallura terroriste ISIS dhe Al Nusra.

Njëri prej të arrestuarëve dyshohet se kishte në plan të kryente një sulm në Doku Fest, ngjarja më e madhe kulturore në Kosovë, tha për Top Channel një burim zyrtar në kushte anonimati.

I njëjti person, thotë burimi, ka pasur për qëllim të dërgojë mesazh se Prizreni është qytet mysliman si kundërpërgjigje e donacioneve amerikane për festivalin.

Prokurori i çështjes Blerim Isufaj, në një konferencë për shtyp tha se hetimet e luftës kundër terrorizmit vazhdojnë dhe në mesin e të dyshuarve ka edhe imamë xhamish, ndonëse ata nuk janë arrestuar.

“Fillimisht, nga vetë fakti se këta persona kanë qenë në organizata si ISIS e Al Nusra, të shpallura nga OKB si grupe terroriste, kemi pasur bazat për të kryer arrestimin e tyre”, deklaroi Isufaj.

Pyetjes së gazetarëve nëse grupi kishte në plan të kryente sulme terroriste, prokurori i rastit dha këtë përgjigje: “Aktualisht jemi në fazën e parë të veprimit. Nuk mund të konfirmojmë gjë tjetër, por të jeni të sigurtë se do analizojmë çdo provë që kemi siguruar”, theksoi Isufaj.

Në kuadër të operacionit policor është mbyllur edhe xhamia që ka funksionuar në mënyrë ilegale dhe ku dyshohet po kështu se në kuadër të mësimeve fetare është bërë edhe rekrutimi i njerëzve për luftën e Sirirsë.

Nga 40 të arrestuarit autoritetet vetëm për 2 prej tyre nuk kanë informacione se kanë qenë në luftën e Sirisë. Policia konfirmoi se janë bastisur gjithësej 60 lokacione në të gjitha rajonet e Kosovës.

Zëdhënësi Baki Kelani tha se në shtëpitë e të dyshuarëve janë gjetur arsenale armësh. Ai theksoi se është për t’u vlerësuar bashkëpunimi i familjarëve të të dyshuarëve me policinë, me përjashtim të dy rasteve.

“Kemi arritur konfiskimin e provave të ndryshme materiale, përfshirë armë të tipit AK 47, pushkë gjuetie, armë të shkurtra, si dhe pajisje elektronike, eksploziv, pasaporta, etj. Këto janë gjetur kryesisht në banesat e të dyshuarve por edhe në ato të marra prej tyre me qera”, saktësoi Kelani.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se numri i të kërkuarëve kalon 200-n, ndërsa në mesin e tyre është edhe një femër 23-vjeçare nga komuna e Prishtinës, e cila dyshohet se ka shkuar në Siri.

Në listën e policisë, të cilën e ka parë Top Channel, është edhe serbi me inicialet D.J nga komuna e Parteshit, i cili së fundmi është konvertuar në mysliman dhe ndodhet në Siri. Autoritetet dyshojnë se D.J është i infiltruar nga shërbimi sekret serb.

Numri më i madh i të arrestuarve është nga qyteti i Ferizajt, gjithsej 11 të arrestuar, i pasuar nga Prishtina me 8 të arrestuar, Gjilani me 7, Prizreni dhe Mitrovica me nga 5 dhe 4 në Pejë.

Policia ka publikuar edhe identitetin e të arrestuarve në bazë të inicialeve, si dhe vitin e lindjes së tyre. Sipas komunikatës së policisë, shumica e tyre janë të moshave nga 20 deri në 30 vjeç.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Nëpërmjet një komunikate për media, ajo ka përshëndetur aksionin e policisë, duke theksuar edhe njëherë se Kosova nuk do të jetë strehë e ekstremizmit.

“Institucionet e Kosovës, asnjëherë nuk do të lejojnë që vendi ynë të shndërrohet në burim të aktiviteteve kriminale e terroriste, që kërcënojnë paqen, stabilitetin dhe rendin kushtetues”, thuhet në reagimin e Presidentes së Kosovës.

Edhe qeveria e Kosovës i jep mbështetje të fuqishme operacionit të ndërmarrë nga policia, për – siç thuhet – arrestimin e elementëve ekstremistë, të cilët me veprimet e tyre kanë kërcënuar sigurinë kombëtare dhe rendin tonë kushtetues.

Qeveria në detyrë rithekson se organet shtetërore të Kosovës do të mbrojnë me vendosmëri vlerat tona civilizuese euro-atlantike, liritë individuale, sekularizmin, të drejtat kushtetuese dhe ligjore, të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Top Channel