Embargo ruse dëmton Greqinë

09/08/2014 00:00

Greqia duket se është shteti i parë i BE-së që po ndjen pasojat e rënda të reagimit të Moskes ndaj sanksioneve që Perëndimi i ka vendosur asaj në lidhje me situatën në Ukrainë.

Fermerët grekë janë të dëshpëruar sepse çmimet e frutave po bien në maksimum dhe paralajmërojnë se nëse vazhdon për një kohë të gjatë embargo ruse pasojat do të jenë katastrofike për Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit.

Ata kërkojnë nga Brukseli që të dëmshpërblehen. Sipas Ministrisë së Tregtisë, asnjë nga porositë e ardhura nga Rusia nuk është anuluar, por ndërkohë frutat dhe perimet greke nuk po ngarkohen.

Vetëm në një prej prefekturave të Peloponezit mbi 9000 ton pjeshkë rrezikohen të kalben. Shqetësimi është i madh edhe për ullinjtë, luleshtrydhet, lëngun e koncentruar të frutave, për kompostot si dhe për kivin, pasi më shumë se 50 % e prodhimit të këtij fruti ka destinacion tregun rus.

Ndërkohë ekziston frika se do të kthehen edhe porositë për guna që kanë bërë tregtarët rusë pas urdhërit presidencial të Vladimir Putinit që i është përgjigjur sanksioneve të BE-së me embargo të përgjithshme të importeve ushqimore për një vit nga shumë vende të Europës Perëndimore.

Frika e prodhuesve vendas është se pjesën e humbur të tregut grek do e kërkojnë fermerët nga Argjentina, Kili dhe Turqia që dinë shumë mirë se Rusia është një nga konsumatoret më të mëdha të frutave dhe perimeve që eksportohen nga BE.

Megjithëse Greqia ka marrëdhënie dypalëshe tregtare me Rusinë, fermerët grekë janë të alarmuar dhe kërkojnë nga qeveria të negociojë me palën ruse. Në orët e ardhshme do të ketë një imazh më të qartë pasi Moska do të përcaktojë saktësisht masat ndaj çdo vendi të BE. Sipas Eurostat eksportet greke në fruta-perime drejt Rusise vjet kapën shifrat 108 milion euro.

Top Channel