Presidenti i ICIC, Besnik Dervishi: Kosova forcon rolin e saj në zhvillimin e standardeve ndërkombëtare të transparencës Në komunat e veriut të Kosovës vazhdojnë të funksionojnë pa ndonjë pengesë strukturat ilegale të Serbisë.
Edhe pse me marrëveshjen e Brukselit, Serbia ishte detyruar t’i shuante institucionet paralele në veri menjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, kjo nuk ka ndodhur as pas nëntë muajve prej kur janë konsoliduar institucionet e reja kosovare në katër komunat në veri të Kosovës.
Ministria e Pushtetit Lokal çdo ditë sfidohet në shtrirjen e ligjshmërisë në komunat veriore, pasi zyrtarët serbë që po transferohen nga strukturat serbe në ato kosovare nuk po zbatojnë në tërësi legjislacionin e Prishtinës zyrtare.
Sekretari i Ministrisë së Pushtetit Lokal, Besnik Osmani, ka thënë për Top Channel se tranzicioni që ka nisur po shkon mirë edhe pse ngadalë: “Opinioni e di që ka pasur atje struktura paralele që janë financuar nga Republika e Serbisë. Disa nga ato stafe kanë filluar të transferohen tek stafet komunale në pajtim edhe me marrëveshjen e Brukselit dhe pas vendosjes së menaxhmentit legjitim si rezultat i zgjedhjeve.”
Zotimi i Prishtinës zyrtare në Bruksel se do t’i pranojë të transferohen të gjithë punonjësit e strukturave paralele, rezulton problematik për buxhetin e Kosovës pasi Serbia e kishte rritur tej mase numrin e punonjësve në veri që i paguante Beogradi.
“Strukturat komunale duhet të integrohen në sistemin legal të Kosovës. Ky proces nuk ndodh menjëherë. Ka stafe në numër relativisht të madh që kanë qenë në strukturat paralele që nuk mund gjithmonë të përfshihen sipas formulës dhe sipas kritereve në buxhetin e Kosovës. Prandaj, ne po e bëjmë këtë hap pas hapi, nga prioritetet kryesore, kemi filluar nga kryetari dhe po lëvizim deri tek stafi më i ulët”.
Aktualisht në veri të Kosovës vazhdojnë të punojnë dy palë institucione që u raportojnë dy shteteve të ndryshme.
Kryetarët e rinj të komunave veriore me shumicë serbe edhe pse duhet t’u binden ligjeve të Kosovës shpesh herë, në kundërshtim me to, vendosin të ndërtojnë parqe që bllokojnë rrugët për qarkullim të shqiptarëve, siç ishte rasti i bllokimit të urës mbi lumin Ibër.
Top Channel